Perëndimi mbështet Izraelin: Dënojmë sulmin e Hamasit!
Udhëheqësit Perëndimorë e dënuan sulmin në shkallë të gjerë të Hamasit ndaj Izraelit të shtunën. Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se i tha kryeministrit Benjamin Netanyahu në telefonatën e tyre më herët sot, “ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha mjetet e duhura të mbështetjes për qeverinë dhe popullin e Izraelit”.
“Terrorizmi nuk justifikohet kurrë. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe popullin e tij. Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë kundër çdo pale tjetër armiqësore ndaj Izraelit që kërkon përfitime në këtë situatë. Mbështetja e administratës sime për sigurinë e Izraelit është e fortë dhe e palëkundur”, thotë Biden në një deklaratë që dënon sulmin e befasishëm të Hamasit këtë mëngjes në Izraelin jugor dhe qendror.
Lajmi u bë i ditur nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke cituar njoftimin për shtyp.
“Jill dhe unë po lutemi për të gjitha familjet që janë lënduar nga kjo dhunë. Jemi zemërthyer nga jetët e shkurtuara tragjikisht dhe shpresojmë për një shërim të shpejtë për të gjithë ata që janë plagosur”, shton ai. “Ekipi im dhe unë po e ndjekim nga afër këtë situatë dhe do të mbetem në kontakt të ngushtë me kryeministrin Netanyahu”.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në rajonet jugore izraelite duke dënuar sulmet e Hamasit kundër Izraelit.
“Ne dënojmë pa mëdyshje sulmet e tmerrshme të terroristëve të Hamasit kundër Izraelit. Ne qëndrojmë në solidaritet me qeverinë dhe popullin e Izraelit dhe shprehim ngushëllimet tona për jetët izraelite të humbura në këto sulme”, theksoi kryediplomati amerikan.
Shtëpia e Bardhë deklaroi më herët se presidenti amerikan Joe Biden është informuar nga zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare në lidhje me sulmin e vazhdueshëm ajror dhe tokësor të Hamas-it në qytete në Izraelin jugor dhe qendror.
“Presidenti do të vazhdojë të marrë përditësime dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët izraelitë”, thotë Zyra e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë në një deklaratë.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga ato që ajo i cilësoi si, “sulme të pamëshirshme”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se i dënonte ashpër “sulmet terroriste” dhe shprehu solidaritet ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz u shpreh i tronditur nga sulmet dhe tha se Gjermania qëndron në krah të Izraelit.
Ndërkohë, Britania e Madhe tha se e dënonte atë që e cilësoi si “sulm të tmerrshëm“. Ministri i Jashtëm. James Cleverly, tha se “Britania do ta mbështesë gjithmonë të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur”.
Shtëpia e Bardhë tha se i dënonte sulmet e Hamasit dhe se qëndronte në krah të qeverisë dhe popullit të Izraelit. “Nuk ka asnjë justifikim për terrorizmin”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se Pentagoni do të veprojë për t’i siguruar Izraelit gjithçka që i nevojitet për t’u mbrojtur.
Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk u shpreh i tronditur nga sulmi dhe bëri thirrje për ndërprerjen e menjëherëshme të dhunës duke u kërkuar të gjitha palëve dhe aktorëve kyç në rajon që të ulin tensionet dhe të shmangin gjakderdhjen.
Arabia Saudite bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të mbrojnë civilët.
Në një deklaratë të ministrisë së jashtme thuhet se “Arabia Saudite përsërit paralajmërimet e saj për rrezikun e përshkallëzimit të situatës si pasojë e pushtimit të vazhdueshëm, palestinezëve u janë mohuar të drejat e tyre dhe janë përballur me një sistem të vazhdueshëm provokimesh nga Izraeli”.
Arabia Saudite ka mbështetur prej një kohe të gjatë palestinezët dhe ka bërë thirrje për zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete bazuar në kufijtë e vitit 1967 të Izraelit, ku Izraeli Lindor të jetë kryqyteti palestinez./ VOA
/Shqip.com