Përdhunoi vajzën e re shqiptare, lojtari brazilian Robinho dënohet me 9 vjet burg

Gjykata braziliane ka vendosur të lërë në fuqi dënimin e një gjykate italiane për përdhunim të ish-sulmuesit të Milanit dhe Brazilit, Robinho.
Kësisoji, ish-lojtari duhet të vuajë dënimin e tij me 9 vite burg në Brazil për përdhunimin e një vajze të re shqiptare në Milano, kur vishte fanellën kuqezi.
Gjyqi në Gjykatën e Lartë të Brazilit (STJ), më eprorja e vendit për çështjet jokushtetuese, konstatoi se vendimi i Italisë ishte i vlefshëm edhe në Brazil.
Një gjykatë e Milanos në vitin 2017 e shpalli Robinhon dhe pesë brazilianë të tjerë fajtorë për përdhunimin në grup të një vajze shqiptare në vitin 2013, pasi e kishin dehur me alkool në një diskotekë.
Dënimi u konfirmua nga një gjykatë apeli në vitin 2020 dhe u vërtetua nga Gjykata e Lartë e Italisë më 2022. 40-vjeçari Robinho, emri i plotë i të cilit është Robson de Souza, jeton në Brazil dhe gjithmonë i ka mohuar akuzat.
Brazili zakonisht nuk i ekstradon qytetarët e tij, kështu që Italia kërkoi vitin e kaluar që Robinho ta vuante dënimin me burg në vendin e tij.
Avokati i Robinhos, José Eduardo Alckmin tha pas gjyqit se Robinho do t’i dorëzohej autoriteteve kur të njoftohej zyrtarisht për vendimin.
Gjykata braziliane nuk rihapi diskutimet për dënimin, duke u fokusuar vetëm në faktin nëse dënimi në Itali ishte i vlefshëm edhe në Brazil.
Megjithatë, Robinho tha në një intervistë të transmetuar të dielën nga një stacion televiziv lokal se ai shpresonte që gjykata do ta shqyrtonte me themel dënimin e drejtësisë italiane: “Unë u dënova padrejtësisht në Itali për diçka që nuk ndodhi.
“Po hap zemrën për të shfryrë akuzat dhe paraqitur provat e pafajësisë sime. Sistemi i drejtësisë italiane bëri gabime flagrante dhe shumë të rënda gjatë gjithë gjykimit tim. Unë jam i përkushtuar të provoj pafajësinë time dhe të luftoj për drejtësinë e vërtetë.
“Kam luajtur katër vite në Itali dhe jam lodhur duke parë histori racizmi. Fatkeqësisht, edhe sot ndodh. Kjo ndodhi në vitin 2013, sot jemi më 2024, gjë që më bën të besoj se të njëjtët njerëz që nuk bëjnë asgjë kundër racizmit janë të njëjtët që më dënuan në gjyqin tim”.
Këto fjalë plotësohen me disa fraza që funksionojnë si sintezë e vizionit të tij dhe, po ashtu, e përmbajtjes së intervistës: “Nëse gjyqi im do të ishte për një person të bardhë, do të kishte verdikt krejtësisht ndryshe, pa dyshim. Shpresoj që në Brazil të mund të kem zërin që nuk e kisha jashtë. Nuk kam bërë asgjë, nuk kam bërë asnjë krim”.
Pasi u pyet për çështjen e Dani Alves, ai tha se ndryshe nga sa ndodhi me mbrojtësin, vajza shqiptare e ka denoncuar katër muaj më vonë dhe jo të nesërmen: “Rasti im ishte një padrejtësi. Unë di t’i respektoj të gjithë, madje edhe gratë”.
/Shqip.com