Lajme

Përçahet koalicioni në Prishtinë, Rama shkarkon drejtorin nga radhët e PDK-së, kjo e fundit e quan revansh

Komuna e Prishtinës
Komuna e Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar për shkarkimin e Drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun, i cili vjen nga partneri i LDK-së në kryeqytet, PDK.

Rama ka sqaruar se vendimi marrë është pasi nuk ka pasur asnjë zgjidhje për mbeturinat.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në Kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar. Andaj, sot, kam marrë VENDIM për të liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike. Për më tepër, ju njoftoj se, në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, kam bërë përpjekje duke krijuar një Task Force dhe kam ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë.  Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.

Mirëpo, me këtë vendim nuk është pajtuar PDK.

Ka qenë nënkryetarja e kryeqytetit, Donjeta e ka quajtur revansh të Ramës, pasi që PDK-ja nuk ka dhënë mbështetje për këmbimin e pronave komunale në Badoc.

Ajo ka shkruar se Ilirik Musliu ka qenë motorri i qeverisjes së mirë të PDK në Prishtinë dhe se problemi i mbeturinave as nuk ka fillua e as nuk ka pasë mundësi me u mbyll.

“Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz. Njëjtë, Përparim Rama, si Zyrtar Kryesor Administrativ, ka mundur të jep urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullojë menaxhimin e mbeturinave, pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e din ai vetë”, ka shkruar ajo.

Nënkryetarja e kryeqytetit ka thënë se shkarkimi sic e ka quajtur ‘të fshehur’ të Ilirik Musliut përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër.

“Na duket si revansh politik, por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale. Ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik. Më 2 shkurt 2022 me Ilirikun i’u bashkuam qeverisjes në Prishtinë. Më 2 shkurt 2024, Përparim Rama filloi revanshin publik”.

/Shqip.com