Lajme

Për vrasjen e nxënësve, Këshilli i Prindërve i bën fajtor drejtorët e shkollave dhe Inspektoratin e Arsimit

Ilustrim

Një 14-vjeçar ka ndërruar jetë të martën pas therjes me thikë në Prishtinë.

Në lidhje më këtë kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti në një përgjigje për SHQIP.com ka thënë se për të tilla raste fajtor janë drejtorët e shkollave dhe Inspektoratin e Arsimit

“Të gjithë na injorojnë si Këshill i Prindërve dhe tashmë gjejnë kohë që të shfaqin keqardhje çfarë ka ndodhe ndërsa realisht duhet kërkohet përgjegjësi nga ta, pasi këto raste nuk kanë ndodhur sot për sot por, ka një gjenezë më të hershme dhe përderisa Inspektorati i Arsimit hesht dhe nuk merre masa pse drejtoret e shkollave nuk i bëjnë zgjidhje këtyre rasteve ndodhin prapë”.

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti

Ai ka thënë për këto raste janë shumë të shqetësuar, pasi çdo konflikt jashtë shkollë po e ka burimin brenda saj.

“Ne si këshill i prindërve fatkeqësisht jemi informuar nga mediat, gjë që është për keqardhje, pasi Këshilli  i Prindërve të Prishtinës që duhet të merret më këto raste me na njoftu neve në nivel vendi nuk e ka bërë, duke mos u marrë më kësi raste, kjo është një dobësi e madhe. Sa i përket sigurisë ne që katër viti kemi ngritur sigurinë e nxënëseve në thelb, bulëzim që po ndodh, pasi çdo konflikt që po ndodh jashtë shkollës po e ka burimin brenda saj.

Reshiti ka thënë se më këtë rast duhet të merret urgjent prokuroria dhe fajtori të marrë dënimin e merituar.

“Unë i bëj apel Prokurorisë Komunale të Prishtinës që të hetojë nëse prindërit e viktimës e kanë raportuar ketë rast dhe nëse shkolla nuk ka marrë masa atëherë drejtori i shkollës duhet marrë përgjigje për papërgjegjësinë e tij, qoftë edhe kujdestari i klasës”.

Vdekjen e 14 vjeçarit e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 07:30, kemi pranuar informatën për një rast vrasje, në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, personi i cili dyshohet se ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë)  dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF),  ku dhe është konstatuar vdekja e tij”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ndër tjerash ajo shtoi se vdekjen e viktimës R.H. mashkull 14 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QMF.

Ndërsa ka theksuar se hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin./Shqip.com