Për ty që duhet të vazhdosh betejën…

Shkruan: Albana Beqiri
Për ty që duhet të vazhdosh betejën…
Po, e di, e di… sa rënkon shpirti pas asaj korace prej gruaje të fortë që e ka pranuar fatin ashtu si t’i vijë. Dhembja kuis njësoj si ai qeni i lënë jashtë në një natë me vetëtima, trembet por nuk e fajëson të zotin harrestar, gjëmon si deti i përpirë nga stuhia, por pret me durim të pasosur momentin kur do të pllakosë qetësia, qan nën zë e stepur në një cep, pa i lënë lotët të rrjedhin faqe gjithë botës. Besomë, unë i di të gjitha këto, sepse kam qenë si ti, kam ecur nëpër të njëjtat rrugë plot gropa e të tatëpjeta, e frikësuar deri në palcë nga ajo që mund të ndodhte. E çfarë mund të ndodhte më shumë se vdekja? Asgjë! Mua, njësoj si ty sot, më trembte për vdekje, ideja e vdekjes. Prandaj, besomë që e di sesi ndjehesh kur zemra të qan e ti duhet të qeshësh, po po të qeshësh jo aq për t’u ndier mirë për veten, sesa për ata që ke përreth e që janë sy e vesh nga ti. Nuk të ndihmojnë dot, vuajnë për këtë, por nëse ti qesh ata naivisht besojnë ose duan të besojnë se ti je vërtet mirë. Se ti ja hodhe. Ata, njerëzit e tu më të dashur nuk do ta mësojnë kurrë se ti nuk je më ajo që hiqesh se je, se pas sigurisë që të jep fitorja e një beteje të vogël në luftën e madhe për jetën, fshihet frika e përhershme se kjo fitore mund të zgjasë pak, edhe më pak se një pulitje sysh, e sa të hapësh e mbyllësh sytë ti do gjendesh në anën tjetër për të cilën nuk di asgjë, thjesht ke dëgjuar që është e errët dhe e ftohtë, zaten ky është perceptimi i përgjithshëm për vdekjen. Kush je ti që ta ndryshosh këtë percepsion mijëra vjeçar?!
Sa kushton një jetë njeriu?, shpesh ja bën vetes këtë pyetje, por asnjëherë nuk ke përgjigje, një përgjigje të saktë asnjëherë. Ose nuk të pëlqen të japësh atë përgjigje të provuar në kurrizin e lëkurën tënde: pothuaj hiç. Një jetë njeriu kushton aq sa zgjat rrugëtimi i tij prej barkut të nënës deri në varreza!
E ndërsa e mat dhe mendon kështu vlerën e jetës, kthehesh në kohë dhe mundohesh të gjesh momentet më të bukura të jetës të cilat sipas teje e rrisin koston e saj. Dhe ja ku je, një fëmijë i pafaj si gjithë fëmijët e botës. Krijesa të tjera, kryesisht të rritura sillen rrotull teje dhe ti rrezaton nga lumturia që të krijon ndjesia e të qenurit e dashur, e përkëdhelur. E sa të jenë në jetën tënde këto krijesa të rritura (çuditërisht ato gjatë rritës tënde rriten edhe më, po aq rritet edhe dashuria e tyre për ty) ti do të vazhdosh të ndihesh qendra e universit. Janë gjyshërit dhe prindërit e tu e ti apriori mendon se ata kanë ardhur në këtë botë enkas për ty, enkas të të duan, enkas të të mbrojnë, enkas të jenë mburoja dhe siguria jote. Gjatë rritës tënde, të tjerë të rritur do të të hyjnë në jetë, posaçërisht njerëz të dashur, ka momente kur ti mendon se pa ndonjërin prej tyre jeta jote s’do kishte kuptim, por gjithmonë mund të vijë një moment që ti do të zhgënjehesh, atëherë do kuptosh se e vetmja strehë e sigurtë dashurie pa kushte është ajo e prindërve të tu. Janë ata, të vetmit që kur të përballesh me dallgët e jetës do donin të ishin në vendin tënd, të të nxirrnin ty të sigurtë në breg e të vazhdonin në vendin tënd përleshjen. Madje edhe shpirtin do e jepnin për ty.
Kur ata nuk janë, bota jote nuk është më e përsosur, është e paplotë, e ngrënë si një hënë e kafshuar nga universi. Bota është zvogëluar befas dhe ti nuk je më qendra e saj, kupton se nuk ke qenë kurrë. Mund të kesh qenë vetëm një numër.
Po, po, e di…sesi dhemb zemra pas asaj korace prej gruaje të fortë që e ka pranuar fatin ashtu si t’i vijë. Që është përballur me të pa u ndalur të mendojë sesi do të jetë fundi, nuk ka pasur kohë në fakt për qurravitje e keqardhje për veten, në fund të fundit edhe sikur të kishte çfarë do të ndryshonte kjo? Asgjë, hiç asgjë. Besomë, unë i ditë gjitha këto, sepse njësoj si ty, jeta më mori n’thua në një moment të caktuar, një përgjigje e një analize apo çehrja e një mjeku u kthyen në barometrin e humorit dhe gjendjes sime emocionale dhe ideja e vdekjes u kthye në makthin tim më të keq, në të vërtetë vdekja ishte si ajo shpata e Demokleut që qëndronte mbi kokën time e gatshme që nga momenti në moment të shkëputej e të më binte pingulthi mbi qafë. Njësoj si ti unë u ktheva në skllave të kohës, në të vërtetë ishte ajo, apo më mirë të themi ndjesia vrastare e mungesës së saj, ajo që u kthye në padronen time dhe tani edhe ti njësoj si unë je futur në një garë të pakuptimtë me kohën. Besomë, unë e di sa e rëndë është kjo garë që të çohet deri në fund, për fitore as mos të flasim. Por unë po ashtu e di se ti je e fortë, më e fortë se secila stuhi që ja mësyn detit duke e trazuar atë. Njësoj si deti ti mundesh ta përballosh atë deri sa të qetësohesh plotësisht, shtrati yt si i detit është i ngulitur thellë në këtë tokë e vetëm stuhi shumë më të mëdha se kjo e fundit mund të të shkulin prej saj. Jeta është spiranca jote ku ti mbahesh fort.
Ti je vetë stuhia që e tremb vdekjen, je spiranca pas së cilës lidhet fort e mbahet jeta.
Unë e di këtë.
Jam dëshmia që ty të duhet për të vazhduar!
/Shqip.com