Lajme

“Për SHBA-në sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm”

Osmani pret në takim Giacobbe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti të martën në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend pas vendimit për reciprocitet të targave me Serbinë.

Sipas Presidentes Osmani, Serbia po tenton ta destabilizojë situatën, gjë që sipas saj, është në vazhdën e përpjekjeve ruso-serbe për zhbërjen e të arriturave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s në Kosovë dhe rajon.

Lexo edhe:
SHBA: Po punojmë që të ulen tensionet midis Kosovës dhe Serbisë

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se vendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me targa është i ligjshëm”.

Protestat në veri pas vendosjes së masës së reciprocitetit të targave me Serbinë

“Ajo vuri theksin te fakti se zbatimi i kësaj mase nga institucionet tona është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e dakorduar në Bruksel, por e cila nuk është zbatuar nga ana e Serbisë”, thuhet në komunikatën për media.

Presidentja Osmani e bëri të qartë po ashtu që “Kosova në asnjë moment nuk ka qëllim të eskalojë situatën”.

“Në veçanti, ajo potencoi se përkushtimi kryesor i institucioneve të vendit është mirëmbajtja e rendit dhe ligjit si dhe mbrojtja e secilit qytetarë në Republikën tone”.

“Duke folur për procesin e dialogut, Presidentja Omani konfirmoi se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e tij dhe ritheksoi rëndësinë e trajtimit të barabartë të palëve të përfshira në të”.

Ndërsa, Giacobbe potencoi se për SHBA-në, “sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm”, duke shtuar se dialogu është mënyra e duhur për të vazhduar tutje./SHQIP.com