PDK: Serbia nuk i ka përfunduar synimet destabilizuese ndaj Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje të plotë dhe mirënjohjen më të thellë për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Policinë e Kosovës, e cila ka bërë dhe po bën një punë të jashtëzakonshme dhe shumë profesionale në terren.
Në takimin e përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, ku u diskutua për situatën e sigurisë në vend, zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Republika e Kosovës, partia me e madhe opozitare ka ritheksuar se tashmë është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist ndaj Republikës së Kosovës, adresën kryesore e ka në Beograd.
“Pjesëmarrja dhe udhëheqja e këtij sulmi nga Millan Radojçiq, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili sot po strehohet dhe po vepron i lirë në Serbi, vërtetojnë një gjë të tillë. Prandaj, edhe sot, u bëjmë thirrje aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare, të gjithë terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje. PDK kërkon veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, tashmë kur dëshmitë për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist kundër Kosovës janë të bollshme. PDK vlerëson se vendosja e mijëra trupave ushtarake serbe rreth e përqark kufirit me Kosovën, tregon qartë se synimet destabilizuese të Serbisë kundrejt vendit tonë nuk kanë përfunduar”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
PDK i ka bërë thirrje qeverisë që të ketë koordinim më të madh me aleatët strategjikë, para së gjithash me SHBA-në.
/Shqip.com