PDK në Skenderaj ankohet për gjuhën e përdorur nga Bekim Haxhiu
Partia Demokratike e Kosovës është ankuar në Polici si dhe në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa për gjuhën e përdorur nga deputeti, Bekim Haxhiu i cili publikisht është mbështetës i “Idealit” të Bekim Jasharit për sa i përket zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Nga një video e publikuar në media – dëgjohet teksa Bekim Haxhiu thotë se “do të dihet kush kënd e voton”.
“Ju thashë në katund temin, e po ju them edhe juve këtu. Këto zgjedhje kanë me u mbajt mend edhe në histori. Kanë me u regjistru edhe në KQZ”.
“Me katund, me bashkësi lokale, kush me kënd u kanë. Vallahi me shpi ka me u ditë. Kush u kanë me Jasharët, me Bekim Jasharin e kush kundër tyre u kanë”, dëgjohet teksa flet Haxhiu.
Kjo gjuhë për kandidatin e PDK-së për kryetar të Skenderajt, Fadil Nurën është e papranueshme dhe për këtë janë ankuar.
“Po jemi ankuar në Polici dhe PZAP, pasi gjuhë e tij është kundër kodit zgjedhor”, ka thënë Nura për Shqip.com.
Po ashtu, Nura theksoi se si degë e kanë parashtruar në parti edhe çështjen e Bekim Haxhiut- i cili në garën zgjedhore në Skenderaj është kundër partisë të cilës i përket.
Shqip.com ka tentuar të komunikojë me Bekim Haxhiun, por nuk ishte e mundur.
Fituesi nuk dihet më në Skenderaj.
Për dallim nga e kaluara kur Partia Demokratike e Kosovës fitonte pjesën dërmuese të votave në Skenderaj – tash kjo komunë është shndërruar në një garë zgjedhore tejet interesante.
Krejt kjo ka ardhur pasi në vitin 2017 siç thotë Sami Lushtaku PDK “ia dorëzoi” mandatin Bekim Jasharit, duke u larguar nga gara. Pa PDK, Bekim Jashari fitoi bindshëm.
Kandidatura e Bekim Jasharit kishte gjetur mbështetje nga ish- presidenti, Hashim Thaçi, komunë nga e cila vjen ai – si dhe prej kryetarit të atëhershëm të PDK-së, Kadri Veselit.
Për, Kadri Veselin – Bekim Jashari ka deklaruar se “dy javë para se të shkonte në Hagë i kishte ofruar mbështetje për mandatin e dytë”.
Por, Memli Krasniqi – kryetari aktual i PDK-së thotë se “asnjë kandidat nuk është i partisë së tyre jashtë numrit 177”.
Me numrin 177 në Skenderaj kandidon Fadil Nura i PDK-së.
Kjo pasi Sami Lushtakut, iu pamundësua kadidatura për shkak të disa normave ligjore në fuqi.
Saktësisht, dekreti për moskandidim të personave që janë të dënuar me burg në tri vitet e fundit.
Mirëpo, Lushtaku merr pjesë në çdo tubim elektoral të PDK-së në Skenderaj.
Para krejt kësaj situate, Bekim Jashari e Sami Lushtaku kanë pasur “përplasje në distancë”.
Jashari thoshte se “Lushtaku ka qenë larg vijave të fontit”, ndërsa ky i fundit refuzon t’i referohet me mbiemër, duke e quajtur vetëm Bekim, por jo edhe Jashari. /Shqip.com