Lajme

PDK: Gërvalla me skadal diplomatik ndaj SHBA-së, qëndrimet e saj po dëmtojnë Republikën e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, thotë se dje ka ndodhur një skadal diplomatik, ku kryediplomatja Donika Gërvalla, nuk ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë, njofton Shqip.com.

Me anë të një postimi në Facebook, Gjoshi tha se një gjë e tillë ka ndodhur për herë në historinë e Republikës së Kosovës.

“Donika Schwarz nuk ka bërë asnjë urim të drejtpërdrejtë për aleatin strategjik, por është mjaftuar vetëm me një rishpërndarje të postimit në Twitter të MFA Kosovo, asaj faqes që bënte postime skandaloze”, ka shkruar ai.

Sipas Gjoshit, qëndrimi i ministres së Jashtme të Kosovës, po dëmton Republikën.

Faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës, ka dedikuar një shkrim në nder të përvjetorit të 245-të të Pavarësisë së SHBA-së, shkrim ky që e ka ripostuar Gërvalla në llogarinë e saj.

Ditën e Pavarësisë së Amerikës e ka uruar edhe kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, të cilët e cilësuan SHBA-në partnere dhe aleate të pazëvendësueshme. /Insajderi.com