Pasivizimi i adresave në Luginën e Preshevës, Ministria e Jashtme: Shkelje e të drejtave të njeriut, shqiptarët po privohen nga qasja në shërbimet bazë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka shprehur shqetësimin e saj për fenomenin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave.
Sipas Ministrisë, pasivizimi i adresave nuk është thjesht një çështje ligjore, por ka pasoja të drejtpërdrejta për jetën e përditshme të shqiptarëve në këtë rajon, duke i privuar ata nga shërbime bazë dhe duke kufizuar ushtrimin e të drejtave të tyre themelore. Ky veprim, theksohet në reagimin e Ministrisë, dëmton barazinë dhe drejtësinë për qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, duke krijuar një mjedis diskriminues për ta.
Ministria ka njoftuar se ka adresuar dhe do të vazhdojë të adresojë këtë çështje në dialogun e saj me autoritetet serbe, si dhe në forume ndërkombëtare për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të këtij rajoni.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ndjek me vëmendje fenomenin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë. Ky veprim përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe të standardeve për mbrojtjen e pakicave, duke privuar shqiptarët nga qasja në shërbime bazë dhe ushtrimi i të drejtave të tyre themelore.
Pasivizimi i adresave nuk është një çështje thjesht ligjore, por ka pasoja mbi jetën e përditshme të shqiptarëve në këtë rajon, duke cenuar të drejtat dhe barazinë e tyre.
Ministria ka adresuar dhe do të vazhdojë të adresojë këtë çështje në dialogun me autoritetet serbe, si dhe në forume ndërkombëtare. Përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, Shqipëria do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave.
/Shqip.com