Lajme

Pas vendimit të Kushtetueses, Osmani emëron dy anëtarët e KQZ-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, emëron dy anëtarë të rinjë të KQZ-së

Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Qemailj Kurtishi nga koalicioni Vakat janë emëruar anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njofton Shqip.com.

Zyra e Presidencës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se Osmani, pas analizimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me emërimin e dy anëtarëve të tjerë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në përputhje me kompetencat e saj, ka emëruar në këtë Komision, Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Qemailj Kurtishi nga koalicioni Vakat.

“Në ceremoninë e betimit para Presidentes, dy anëtarët e rinj të KQZ-së deklaruan se do t`i kryejnë detyrat e tyre si anëtarë të KQZ-së në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme dhe profesionale”, është thënë në njoftimin e presidencës.

Pas këtij emërimi, ka reaguar edhe PDK, nga ku thonë se ky vendim i sotëm vjen pas kërkesës së kësaj partie në Gjykatën Kushtetuese dhe presionit publik të shoqërisë civile që argumentuan “bindshëm kërkesën tonë”.

Prandaj, kjo nuk është vetëm një fitore juridike e radhës e PDK-së, por mbi të gjitha është fitore e kushtetutshmërisë përballë apetiteve të pushtetit sundues për të kapur dhe vënë në kontroll edhe institucionet e pavarura kushtetuese”, thuhet më tej në njoftimin e PDK-së. /Shqip.com