Sport Shqiptar

Pas triumfit të Susurit në Lojërat Ballkanike, trajneri kritikon mungesën e përkrahjes

Atletja kosovare, Sara Susuri, arriti një sukses të madh, duke zënë vendin e parë në disiplinën 100 metra në garën e shkollave të mesme, që u zhvillua në Ohër.

Pavarësisht suksesit, selektori i Kosovës, Bajram Duja, kritikoi ashpër mospërkrahjen e Susurit.

Ai për Shqip.com tha se kjo është një mos përgjegjësi e Federatës.

“Zakonisht përkrahja nga institucionet gjithmonë ka qenë minimale. Akoma nuk janë në gjendje me i vlerësuar rezultatet, sidomos në garat ndërkombëtare, ku përfaqësohet shteti i Kosovës. Mungesën e promovimit nga Federata e Sportit Shkollor e cilësoj si papërgjegjësi të personave, të cilët kanë qenë prezent gjatë garës dhe pas garës dhe të personave udhëheqës të kësaj federate. Në postimin në rrjetin social facebook të kësaj federate, nuk figuron emri i Sarës dhe atletëve tjerë të cilët janë plasuar në vendet e dyta dhe të treta në disiplina përkatëse”, tha ai.

No photo description available.

Sara ka arritur që garën deri në 100 metra ta përfundoj në një kohë prej 12.49 sekonda, duke thyer kështu rekordin për Kosovë.

Susuri përveç se pati sukses në garat ndërkombëtare, ajo po kalon edhe një vit të mirë në Kosovë.

“Sara këtë vit kalendarik, të gjitha garat deri më tani ka qenë e suksesshme. Paraqitja e Sarës në Lojërat Ballkanike për Shkolla, duke u bazuar në konkurrencën e kundërshtareve, sidomos të atleteve nga Serbia dhe Mali i Zi, ka qenë një fitore dinjitoze. Këtë vit Sara e ka thyer rekordin e Kosovës në 100 m, presim në garat tjera ta thyej rekordin e Kosovës në 200 m. dhe rekordin personal në 400 m”, shtoi Duja.

Ajo është vetëm 17-vjeçare, vjen nga Prizreni dhe garon për klubin e Atletikës “Prizreni”./Shqip.com