Lajme

Pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tregon për 24 vendimet e marra

Sot gjatë ditës Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 84-të me radhë ku ka arritur që të votojë 24 vendime.

Lidhur më këtë përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Kryeministri Kurti ka treguar për vendimet e marra nga ana e Qeverisë së tij.

“Për mbrojtje të konsumatorit dhe të konkurrencës, miratuam udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme. Nafta do të ketë çmim tavan që varet nga mesatarja e furnizimit” ka shkruar Kurti.

Kurti po ashtu ka treguar se janë rialokuar 3 milionë euro për rreth 25 projekte në komuna të ndryshme të Kosovës.

“Rialokuam 3 milionë euro për 25 projekte në komuna. Në kuadër të reformës së drejtësisë, miratuam koncept-dokumentin për themelimin e Fondit të Konfiskimit. Miratuam edhe dhënien në shfrytëzim të pasurive të konfiskuara për nevoja të institucioneve” ka thënë Kurti.

Foto nga mbledhja e 84-të e Qeverisë

Për të avancuar e mbrojtur të drejtat e njeriut, nominuam përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Këshillin Konsultativ për Komunitete.

Po ashtu është bërë e ditur se për parandalimin e trafikimit me njerëz, është miratuar Strategjia Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz 2022-2026 dhe Plani i Veprimit 2022-2024.

“I hapëm udhë emërimit të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me shfuqizimin e vendimit paraprak. Miratuam hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës dhe Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe Planin e Veprimit të Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030” ka thënë më tutje Kurti.

Gjithashtu është bërë e ditur se është marrë vendim edhe për projekte infrastrukturore

“Për realizim të projekteve infrastrukturore të Ministrisë së Mbrojtjes, miratuam shpronësimin e pronave të paluajtshme brenda Lokacionit të Aeroportit të Gjakovës. Në frymën e thellimit të miqësisë sonë me partnerët ndërkombëtarë, miratuam Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit mbi Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane” ka thënë Kurti.

Për zgjerimin e  bashkëpunimit për zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, miratuam dy nisma, po ashtu, edhe dy të tjera për Programin IPA ka thënë më tutje kryeministri i Kosovës./Shqip.com