Pas kthimit nga Amerika, Kurti mbledh partinë, diskutojnë për situatën politike në vend

Kryeministri i Kosovës këtë pasdite ka zhvilluar takim me koordinatorët e qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.
Në këtë takim është diskutuar për situatën politike në vend dhe për nënshkrimin e marrëveshje midis Kosovës dhe MCC-së për energjinë elektrike.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga vetë Lëvizja Vetëvendosje.
“Sot u mbajt mbledhja me koordinatorët e Qendrave të Lëvizjes VETVENDOSJE! në Kosovë. Situata politike në vend, me shkas vizita e fundit në ShBA për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC, dhe çështjet organizative që kanë të bëjnë me procesin e brendshëm zgjedhor, ishin dy çështjet e diskutuara në këtë mbledhje të drejtuar nga Kryetari i Lëvizjes, njëherazi, Kryeministri, Albin Kurti”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Sipas njoftimit është bërë e ditur se Marrëveshja me MCC për 236.7 milionë dollar investime në sektorin e energjisë do e shtyjë përpara Strategjinë për Energji (2022-2031) të vendit tonë drejt dekarbonizimit dhe stabilitetit me furnizim të rregullt me energji elektrike. Kurse në lidhje me procesin e brendshëm zgjedhor u fol për ritmin e mirë dhe të shpejtë të konsolidimit të strukturave tona ku tashmë në mbi 300 pika janë zgjedhur përfaqësuesit e ri të organizatës.
Zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje pritet të mbahen me datën 25 shtator./Shqip.com