Sport Shqiptar

Pas humbjes nga Rumania, kreu i FFK-së del me një deklaratë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar me një postim të gjatë në Facebook në lidhje me ndeshjen e fundit të Kosovës në Rumani që u mbyll me një humbje dramatike.

Pas ngjarjeve të Bukureshtit, kreu i federatës thekson se është krenar për këtë skuadër që arriti ta mbyllte ndeshjen, pavarësisht shumë faktorëve kundër.

“Dëshira, vullneti e përgatitja e futbollistëve dhe e të gjithëve neve në federatë, por edhe e tifozëve “Dardanët” ka qenë që dy ndeshjet e këtij muaji t’i përmbyllim me rezultate pozitive. Përderisa kundër Zvicrës, si njëra prej top-ekipeve kombëtare të Evropës, arritëm të shkëpusim një pikë, kundër Rumanisë nuk ia arritëm këtij qëllimi, për shumçka që prodhoi kjo ndeshje.

Provokimi i rëndë nga tifozeria rumune shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes për një periudhë të gjatë. Ndeshja rifilloi me insistimin e gjyqtarit pas tërheqjes së pankartave diskriminuese e raciste ndaj vendit tonë, ndonëse thirrjet e kohëpaskohshme kundër futbollistëve dhe shtetit tonë vazhduan. I gjithë ky episod ndikoi pashmangshëm tek ekipi ynë. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte në fund të pjesës së parë gjyqtari e përjashtoi nga loja sulmuesin tonë, duke bërë që tek kundërshtari të kalojë edhe epërsia numerike. Sidoqoftë kjo humbje, e ndikuar prej këtyre faktorëve nuk do të na zmbraps. Përkundrazi ajo të na bëjë më fortë e më të bashkuar. Kemi lojtarë përplot talent e entuziazëm për ta dhënë më të mirë e tyre për atdheun dhe pa dyshim se sukseset nuk do të vonojnë”, ka shkruar Ademi.

I pari i FFK-së ka mbrojtur lojtarët, duke thënë se ata nuk rreshtin së luftuari për Kosovën, ndonëse në rastet kur mungojnë rezultatet kritikat ndaj tyre sipas tij, janë të ashpra e të pamatura nga një pjesë e opinionit. 

Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar e me një qëllim – për Kosovën tonë! Jemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të futbollit të Kosovës dhe mbështesim lojtarët tanë në çdo moment, pavarësisht sfidave që mund të hasin. Jemi një kombëtare e bashkuar dhe krenaria për fanellën tonë është gjithmonë mbi çdo gjë tjetër. Ne mbetemi të vendosur për të përmirësuar lojën tonë dhe për të arritur suksese në nivel ndërkombëtar. Këto sfida na forcojnë dhe nuk do të na pengojnë të ecim përpara. Ne, do të kërkojmë drejtësi dhe respektim të rregullave të “fair-play-it” në futboll përpara organeve të UEFA-s dhe në CAS. Diskriminimi dhe huliganizmi nuk kanë vend në futbollin modern dhe ne jemi të vendosur të mbrojmë integritetin e lojës”.

/Shqip.com