Zgjedhje sprovuese për pushtetin dhe opozitën – partitë politike mbyllin fushatën

Të shtunën do të ketë heshtje zgjedhore – për këtë të premten të gjitha subjektet politike në Kosovë mbyllen fushatën zgjedhore, duke kërkuar nga qytetarët besim – përmes votës më 17 tetor.
Fushata zgjedhore këtë herë ishte më ndryshe, kjo për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19.
Bazuar në sondazhet e publikuara – do të ketë garë të nxehtë në disa komuna.
Këto zgjedhje do të jenë sprovë për partinë në pushtet; Lëvizja Vetëvendosje, por edhe test për subjektet politike opozitare për të parë se ku kanë mbërritur reformat e brendshme.
Pasi, më 14 shkurt është krijuar një rrethanë e re politike. Subjekti politik i drejtuar nga Albin Kurti mori mbi 50 për qind të votave – diçka e paparë në demokracinë e re të Kosovës.
Ndërkaq, tri partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin rënie në elektorat.
Dy nga këto parti (PDK dhe LDK) u bën me kryetar të ri, Memli Krasniqi, respektivisht Lumir Abdixhiku.
VV kërkon të qeverisë më shumë në nivelin lokal
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje drejton Prizrenin, Mitrovicën dhe Podujevën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu ka premtuar mbështetje kryetarëve të komunave të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas tij ka shumë rëndësi se kush do të qeverisë në nivel lokal.
Në veçanti e ka përmendur Arben Vitinë, kandidatin e LVV-së për kryetar të Prishtinës.
Kurti ka thënë se “Beni ka qenë shembullor”, duke e cilësuar edhe si “ilaq për problemet e kryeqytetit”.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje sot ka qëndruar në Rahovec dhe Gjilan.
PDK kërkon rikthim
Në korrik e mori drejtimin e partisë së themeluar nga Hashim Thaçi – Memli Krasniqi kërkoi besimin qytetar për zgjedhjet lokale.
“Ne kemi kandidatët më të mirë në garë. Në PDK ne jemi shumë krenar me ta”, ka thënë Krasniqi përmes një adresimi për media.
Sipas Krasniqit, kandidatë për kryetarë janë të duhurit.
Për dallim nga e kaluara, kur Prishtina nuk e nxirrte mirë PDK-në, tani përmes Uran Ismailit kërkojnë që ta ndryshojnë këtë “traditë të keqe” për ta.
“Qytetarët e Prishtinës janë lodhë nga ankesat dhe arsyetimet, qeverisja ime do të jetë një qeverisje dinamike që nuk shikon pas, por orientohet nga e ardhmja e qytetit”, ka deklaruar Ismaili.
“LDK po rikthehet”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që drejton do të rikthehet.
Abdixhiku e mori timonin e partisë pasi Isa Mustafa dha dorëheqje nga posti.
Përmes një prezantimi të kandidatëve LDK e përmbylli fushatën.
Ky subjekt politik pretendon që do të fitojë disa komuna pa balotazh.
Këto zgjedhje janë sfidë pas votimeve të 14 shkurtit ku LDK mori rezultatin më të keq në histori të saj; pak më shumë se 12 për qind.
AAK kërkon të përsërisë suksesin e zgjedhjeve lokale.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradianj, ka thënë se pos komunave që kanë fituar më 2017, dëshirojnë t’I shtojnë edhe disa tjera.
Përmes një adresimi të Haradianjt, AAK përmbylli fushatën duke kërkuar besimin e qytetarëve.
Gara më e “nxehtë” për këtë parti do të jetë Gjakova, ku kryetari aktual, Ardian Gjini do të sfidohet nga Mimoza Kusari-Lila e Lëvizjes Vetëvendosje.
Por, AAK synon rezultat të mirë edhe në Prishtinë përmes Daut Haradianjt dhe Podujevë nëpërmjet Besnik Tahirit.
Kjo parti ka fituar shtatë komuna në zgjedhjet lokale të vitit 2017. /Shqip.com