Parku Arkeologjik “Ulpiana”, përfiton nga projekti i financiuar prej BE-së

Parku Arkeologjik Ulpiana, do t’i nënshtrohet kompletimit të incizimit gjeofizik dhe dokumentimit të të gjitha gjetjeve, strukturave mbi tokë dhe gërmimeve arkeologjike.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, zëvendësministrja Daulina Osmani së bashku me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Ambasadorë, përfaqësues të OSBE dhe përfaqësues të UNDP kanë vizituar Parkun Arkeologjik “Ulpiana”.
Parku Arkeologjik “Ulpiana”, është përfitues i projektit “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda”.

Projekti është i financiuar nga fondi i BE-së, ndërsa bashkë financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas njoftimit të MKRS-së, në kuadër të projektit do të zbatohet kompletimi i incizimit gjeofizik dhe dokumentimi i të gjitha gjetjeve dhe strukturave mbi tokë, gërmimet arkeologjike në dy sektorë, të cilat pritet të zgjerojnë parkun arkeologjik, themelimin e qendrës së hulumtimit dhe furnizimin me pajisje moderne si dhe trajnimet për arkeologji në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve u shënua më 18 Prill./Shqip.com