Lajme

Paraburgim ndaj 10 të dyshuarve në rastin “Brezovica”

Aksioni në Brezovicë

Gjykata Themelore në Ferizaj u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dhjetë të arrestuarve në aksionin “Brezovica” që u zhvillua dy ditë më parë në Komunën e Shtërpcës kundër ndërtimeve pa leje.

Ish-kryetari i Shtërpcës, B.N. dyshohet për veprat “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “ushtrimi i ndikimit” dhe “ mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

D.R. D.M. dhe H.B. janë të dyshuar për shkak të veprës penale të kryer në bashkëkryerje “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.

D.R. dyshohet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

S.M. për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” “marrja e ryshfetit”, “ushtrimi i ndikimit” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

R.B. për shkak të veprës penale “marrja e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.

R.H. për shkak të veprës penale “dhënia e ryshfetit”, “ushtrimi i ndikimit” dhe “shmangia nga tatimi”.

B.I. dyshohet për veprën penale “dhënia e ryshfetit”, “ushtrimi i ndikimit” dhe veprën penale “shmangia nga tatimi”.

S.S. dhe J.K dyshohen për shkak të veprës penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

“Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë”, thuhet në njoftimin për media./SHQIP.com