OP-ED Kolumne

Para se të akuzoni fëmijët e të së moshuarës së dhunuar, përgjigjuni se cili nga ju shpenzon 650 euro në muaj për prindërit?

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Pa dyshim se ngjarja më tronditëse jo veç e kësaj jave, por mbase e vitit ishte tmerri që pamë të gjithë kur një e moshuar goditej pamëshirshëm në një shtëpi të pleqve nga ato që supozohej se duhej të kujdeseshin për të.

Që ngjarja të jetë edhe më morbide, përreth kishte dëshmitare që qeshnin dhe e shijonin një skenë të tillë si sadiste të vërteta. Ulërima e të moshuarës që më vonë u kuptua se është edhe nënë e dëshmorit, të ngjethte mishin, të trondiste çdo pore të lëkurës dhe shpirtit. E pambrojtur, e lemeritur, pamjet që ndoqëm të gjithë pashmangshëm na bënë të shtrojmë pyetjen se në çfarë drejtimi jemi nisur si shoqëri. Veçanërisht kur tashmë në publik gjithnjë e më të shpeshta janë pamjet e dhunës.

Dhunohen adoleshentët, bullizohen pamëshirshëm duke u poshtëruar në publik, dhunohen nëna e gra, dhunohen foshnjet në institucione parashkollore, e tash së fundmi edhe një e moshuar nga infermiere që ngjanin në “çetnike” të grupeve paramilitare. Çfarëdo që të shkruash, nuk ka forcë që të shprehë mllefin!

E, ky mllef u shpërnda në forma nga më të ndryshme, madje edhe duke akuzuar familjen e të moshuarës se pse nuk është kujdesur për të dhe e ka dërguar në një qendër ku paguhej 650 euro për një muaj.

Ata moralistë që akuzonin vajzën e të moshuarës, është mirë ta pyesin veten se sa shpenzojnë ata për prindërit e tyre? Para se të zbrazin helmin ndaj fëmijëve të së moshuarës, le të pyeten se cili prej tyre shpenzon në muaj për nënën ose babën e tij 650 euro në muaj? Sidomos kur dihet se paga mesatare në Kosovë është dyfish më e ultë sesa shuma e cila paguhej për përkujdesin e të moshuarës.

“Çfarë fëmijë jeni ju?”, ishin komentet e atyre që moralin e masin duke shfryrë vrerin mbi dhembjen e vajzës së tmerruar me dhunën e ushtruar ndaj nënës së saj, e cila kishte nevojë edhe për përkujdesje mjekësore, ndërsa në mungesë të kohës nga angazhimet që sjellë përditshmëria, e kishte dërguar në një qendër ku supozohej se nuk do t’i mungonte kujdesi të cilin ajo nuk mund t’ia ofronte, për cilëndo arsye.

Sot pensionistët janë kategoria më e nëpërkëmbur në Kosovë. Në asnjë shtet pensionistët nuk trajtohen më pa dinjitet. Krejt atë që shtrojnë pyetje se çfarë ndërlidhje ka kjo me ngjarjen e tmerrshme të së moshuarës në qendrën për pleq, mjafton t’ua rikujtojmë se sikur shteti të ishte më i vëmendshëm me këtë kategori, ata sot më së paku do të vareshin nga mëshira e kujdoqoftë. Një pension dinjitoz do t’ua mundësonte të moshuarve që në rast nevoje ta paguanin vetë përkujdesin shtëpiak dhe do t’ua lehtësonin familjarëve funksionimin e përditshëm.

Por, pavarësisht se pushtetarët tanë nuk kanë bërë thuajse asgjë për këtë kategori, ata nuk kanë ngurruar të solidarizohen me gjithë të tjerët që lëshonin mallkime apo kritikonin sistemin. Thuajse ata nuk kanë asnjë përgjegjësi për këtë dominim të anti-vlerave në shoqëri të cilat gradualisht kanë filluar të kulmojnë në dhunë dhe egërsi.

Kjo flet më së miri se fajtorin jemi të prirë ta gjejmë tek tjetri, e jo tek vetvetja. Veçanërisht, kur dihet mirëfilli se ne heshtëm kur gjithçka rrënohej para syve tanë. E, vetmja gjë që dimë të bëjmë është të mallkojmë dhe ta vëmë përgjegjësinë mbi supet e tjetrit. Madje, duke i akuzuar edhe familjarët si në rastin e dhunës fizike ndaj zonjës së moshuar. Thuajse përmes akuzave ndaj tjetrit përpiqemi ta fshehim dështimin kolektiv dhe shthurjen graduale por të sigurtë të vlrerave që përfqësonte dikur familja shqiptare.

/Shqip.com