Lajme Botë

Papa Françesku: Bota, në prag të luftës bërthamore

Papa Françesku. Foto: AA
Papa Françesku. Foto: AA

Papa Françesku ka paralajmëruar se bota është në prag të një lufte bërthamore, ngjashëm sikur kriza raketore e Kubës e vitit 1962.

Kreu i Kishës Katolike këtë deklaratë e bëri  gjatë një konference ndërkombëtare në Oslo në ceremoninë e 60-vjetorit të enciklikës papale të botuar nga Papa Gjon XXIII, “Pacem in Terris”.

Në mesazhin e tij, sipas Vatican Neës, Papa tha se konferenca po zhvillohet “ndërsa bota jonë vazhdon të jetë nën shtrëngimin e Luftës së Tretë Botërore, e cila po zhvillohet gradualisht dhe në rastin tragjik të konfliktit në Ukrainë, ku nuk mungon kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore”.

Ai bëri një krahasim midis situatës aktuale dhe kohës që i parapriu botimit të “Pacem in Terris”, ku kriza lidhur me vendosjen e raketave në Kubë në tetor të vitit 1962, e solli botën në mënyrë të rrezikshme pranë shkatërrimit bërthamor.

Duke i kërkuar konferencës që të përqendrohet në seksionet e “Pacem in Terris” që trajtojnë çarmatimin dhe mënyrat për të arritur paqen afatgjatë, Papa tha se “një botë pa armë bërthamore është e mundur dhe e nevojshme”.

Ai kujtoi, gjithashtu, deklaratën e tij nga Memoriali i Paqes në Hiroshima në vitin 2019, kur tha se “përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte është imorale, ashtu siç është imorale edhe posedimi i armëve bërthamore”.

Lidhur me armët konvencionale, ai tha se ato “duhet të përdoren vetëm për qëllime mbrojtëse dhe jo të drejtohen drejt objektivave civile”.

/Shqip.com