Pacolli-Kurtit: Ulu në ulësen e parë të makinës për të parë gjendjen e rrugëve

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit që të ulët në ulësen e parë të makinës në mënyrë që t’i shoh gjendjen e rrugëve.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka kritikuar Kurtin duke i thënë se po mbanë paranë e bllokuar dhe nuk po e shfrytëzon për investime.
“I lutem kryeministrit që në rrugëtimin e parë, të ulet ne makine në ulësen përpara dhe të shoh gjendjen e rrugëve. Ndoshta i mbushet mendja që të përdor buxhetin në këto investime, e jo ta mbajë paranë e bllokuar”, shkroi Pacolli.
Si rrugë me problem, Pacolli ka përmendur atë Prishtinë-Gjilan që sipas tij po shkaktohen aksidente të shumta për shkak të mosmirëmbajtjës së saj.
“Nuk e di se sa i frekuenton rrugët regjionale të Kosovës, z.Kurti. Ndoshta nuk ka kaluar që moti rrugën Prishtinë-Gjilan sepse do ta vërente situatën katastrofale të kësaj rruge. Por, sigurisht ka dëgjuar për aksidentet e shumta që ndodhin si rezultat i mosmirëmbajtjes së asaj rruge”.
Krahas këtyre, Pacolli potencon edhe dëmet e makinave si dhe rrezikun që kanë këmbësorët në këtë rrugë./Shqip.com