Lajme

Pacolli: Këtë vit s’do të ketë rritje ekonomike 7-8% siç po pretendohet

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, thotë se nuk do të ketë rritje ekonomike prej shtatë apo tetë për qind ashtu siç është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, njofton Shqip.com.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli, tha se Kosova këtë vit ka gjasa të ruaj rritjen e saj ekonomike prej pesë për qind që është mesatarja e dy vjetëve të fundit e arritur falë remitencave të diasporës.

“Lexova që po pretendohet se në Kosovë do të ketë rritje të ekonomike mbi 7% në krahasim me vitin e kaluar”, ka shkruar ai.

“Vitin e kaluar kemi pasur një stagnim të ekonomisë për shkak të zgjedhjeve, ndryshimit të qeverive dhe pandemisë. Edhe pse ky krahasim nuk mund të jetë krahasim i mirë, prapë se prapë, PËR FAT TË KEQ këtë vit nuk do të ketë rritje ekonomike 7 apo 8 % ashtu si po pretendojnë”, shtoi më tej Pacolli.

Ai tha se në lidhje me këtë çështje, ka disa fakte si investimet direkte që ndikojnë në standarin e jetesës, kulturës dhe edukimit të qytetarëve, investimet në infrastrukturë si dhe investimet në progresin teknik në përgjithësi, që ndikojnë drejtpërdrejti në rritjen e sasisë dhe cilësisë së produkteve të vendit, e që janë veprimet kryesorë që kushtëzojnë rritjen ekonomike të një vendi.

“Nëse këto zbërthehen, tregojnë se këtë vit në Kosovë nuk ka pasur investime të rëndësishme që kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve,n uk janë krijuar vende pune në masën e pretenduar, nuk ka pasur rritje të pagave (hyrave), nuk ka pasur rritje të pensioneve (përveç premtimeve për ndonjë ndihmë), nuk ka pasur krijime të reja të operatorëve ekonomik, nuk ka pasur të hyra shtesë për shtetin (përveç remitancave)”, shkruan Pacolli.

Pacolli thotë se tendenca për të krijuar narrativën se ka rritje ekonomike është thjesht një “simulim” apo një tendencë për të bindur se ka rritje të produktivitetit… por kjo nuk është rritje reale ekonomike.

Ky reagim i Pacollit erdhi pasi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se po beson se nëse vazhdohet me këtë rritje ekonomike Kosova do t’i afrohet edhe Kroacisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media

Kurti ka deklaruar se ky vit ka qenë me shumë shpresë dhe optimizëm për qytetarët, duke rezultuar edhe me rritje ekonomike. /Shqip.com