Pa opozitën, miratohet vendimi i Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji

Sot gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës është miratuar vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji.
Në këtë votim morën pjesë 61 deputetë dhe të gjithë votuan pro ndërsa, opozita nuk ishte në sallë.
Seanca e paraparë që të mbahet në ora 11:00 është shtyrë për shkak të vonesave të pozitës.
Por as në orën 13:00 ku edhe ishte paraparë që të fillonte, opozita nuk është kthyer në sallë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se pavarësisht që nuk do të votojnë për këtë gjendje emergjente, seanca nuk do të duhej të mbahet peng.
“Ne i kemi dhënë argumentet tona se pse jemi kundër vazhdimit të kësaj vazhdimi të gjendjes emergjente dhe normalisht që nuk do ta votojmë dhe nuk do të marrim në votim fare. Unë mendoj që seanca nuk do të duhej që të mbahet peng për një numër të pjesëmarrjes së deputetëve sepse aty janë edhe të mazhorancës edhe të opozitës, të dy palët janë ato kështu besoj që ju do të duhej t’i kishit numrat që të vazhdoni më tutje më seancën qysh e keni thirrur në orën 11:00”, tha Tahiri.
Ngjashëm ishte deklaruar edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili tha se puna e komisioneve nuk duhet të ketë ndikim në seancë si dhe seanca duhet të vazhdojë.
Përkundër këtyre, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e kishte shtyrë seancën për ora 13:00./Shqip.com