Osmani: Zgjedhjet në veri sipas kushtetutës, vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka deklaruar se procesi i largimit të katër kryetarëve të komunave në Veri të Kosovës është duke u realizuar konform procedurave të përcaktuara me ligj dhe udhëzim administrativ.
Në një konferencë për media së bashku me emisarin amerikan Gabriel Escobar, Osmani tha se pret që procesi i largimit të kryetarëve të realizohet brenda parametrave kushtetues dhe ligjor dhe sipas afateve të parapara.
“Siç e dini në kuadër të punës sonë të përbashkët edhe procesi i largimit të kryetarëve të katër komunave nga veriu i Kosovës është duke u realizuar konform procedurave të përcaktuara me ligj dhe me udhëzim administrativ në mënyrë që qytetarët e komunave të veriut të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të garantuar në ligjin për vetëqeverisje lokale. Presim që ky proces të realizohet brenda parametrave kushtetues dhe ligjor dhe sipas afateve të parapara”, tha Osmani.
Ajo ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë t’i zbatojë standardet më të larta për një gjykim të drejtë dhe do të vazhdojë të punojë krah për krah me aleatët, në veçanti me ShBA-të, që kufiri të jetë i sigurtë dhe që të parandalohen sulme të tilla.
Osmani ka thënë se ky bashkëpunim me aleatët e vendit është akoma më i fortë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Basnjkë të Zveçanit, derisa ka theksuar se kryesit e këtij akti agresioni duhet të mbahen të përgjegjshëm.
“Për këtë sulm agresioni duhet të ketë përgjegjësi. Serbia duhet të ekstradojë të gjithë ata q֝ë ishin pjesë e planifikimit, organizimit dhe financimit të këtij akti agresioni ndaj Kosovës”, ka thënë tutje e para e vendit.
Osmani ka shtuar se bashkëpunimi me aleatët duhet të jetë bosht i veprimeve të Republikës së Kosovës.
“Puna jonë e përbashkët me Shtetet e Bashkuara ka qenë dhe mbetet jetike në Republikën e Kosovës si një ndër përpjekjet tona pa kompromis për sundim të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, ashtu edhe në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, ka shtuar ndër të tjerash Osmani.
/Shqip.com