Lajme

Osmani udhëton zyrtarisht në New York, do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga Biden

Vjosa Osmani - Presidente e Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka udhëtuar për në New York për të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për krerët botërorë.

Përmes një njoftimi për media nga zyra e presidentes thuhet se pritja zyrtare do të bëhet në margjinat e sesionit të 77 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ë të cilën do të marrë pjesë së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA), krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden”, thuhet në njoftimin e ZP-së.

Gjatë vizitës në New York, Osmani pritet që të zhvillojë takime me krerë të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në këtë asamble.

“Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani, në funksion të përpjekjes për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, zyrtarë të lartë amerikanë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare”.


Presidentja Osmani, gjithashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë.


Ndërkaq në Fordham University, Presidentja Osmani do ta mbajë një ligjëratë, në të cilën do të flasë për reformat në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës./Shqip.com