Lajme

Osmani thotë se mori garanca të forta nga Biden

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

Në një bashkëbisedim të ngrohtë me Presidentin Biden, Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të.

”Rrjedhimisht, në këtë kontekst, ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Presidentja poashtu pati mundësinë ta njoftojë Presidentin Biden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova”, thuhet ndër tjera në komunikatën e presidencës dërguar për media.

Osmani theksoi se ka marrë garanca të fuqishme nga Presidenti Biden për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës. Osmani ka falënderuar Presidentin Biden për ndihmën, të cilën në vazhdimësi e japin SHBA-të për Kosovën në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit.

/Shqip.com