Osmani: Të masakruarit në Reçak do të vriteshin për së dyti nga propaganda serbe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se mos të ishte ambasadori William Walker që e cilësoi si krim kundër njerëzimit, masakrën në Reçak, të masakruarit do të vriteshin për së dyti nga propaganda e Serbisë.
Në fjalimin e saj pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak, Osmani tha se Kodra e Bebushit, u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më.
“Kodra e Bebushit, u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më nga makineria Millosheviqiane. Të masakruarit, do të vriteshin për së dyti nga propaganda e makinerisë dhe gënjeshtrës informative që asokohe e udhëhiqte presidenti Aleksandër Vuqiq. Sikur, ambasadori Walker i cili doli në vendngjarje, të mos kishte lëshuar kushtrimin gjithandej botës, pa asnjë hezitim të vetëm duke e cilësuar me të drejtë këtë ngjarje si krimi kundër njerëzimit”, tha Osmani.
Me masakrën e Reçakut, sipas Osmanit vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë.

“Sot, kujtojmë krimet monstruoze të 15 janarit të vitit 1999 në Reçak të cilat shërbyen si një moment i kthesës historike, jo vetëm nga aty se mizoria e Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë mori trajtën më çnjerëzore por edhe nga që shënoi një moment në të cilin vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht. Masakra e Reçakut bëri që qendrat vendimmarrëse e demokratike të mobilizoheshin për ta mbrojtur një popull që po vuante nën kthetrat e një regjimi gjenecodial por edhe për të dëshmuar se qytetërimi perëndimor nuk mund të dorëzohej para hegjemonive. Prandaj, Kosova duhej të ndihmohej dhe të mbrohej”.
Këto krime, sipas Osmanit bënë që bota demokratike të ndërhynte për ta ndaluar tragjedinë që po përjetonin në Kosovë shqiptarët.

“Reçaku dëshmoi së Kosova ishte edhe sfida e përballjes së botës demokratike më këtë dilemë. Krimet e kryera në Reçak 24 vjet më parë kur civilët shqiptarë u shuan mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb, i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët dhe e bënë të pashmangshme edhe ndërhyrjen e botës demokratike për ta ndalur këtë makineri vrastare”.
Homazhet në këtë kompleks ku ndodhi njëra ndër tragjeditë më të mëdha në Kosovë gjatë luftës së fundit, u bënë edhe nga liderët e opozitës.
/Shqip.com