Lajme

Osmani takon shefe e misionit të SHBA-ve në OKB, diskutojnë për dialogun me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga zv.kryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz, njëherësh ministre e Jashtme dhe e Diasporës, ka zhvilluar takim me  shefen e Misionit të SHBA-ve, në New York, Linda Thomas-Greenfield.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga zyra e presidentes.

Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e përgjithshme në rajon dhe dialogun Kosovë-Serbi.

“Është diskutuar për zhvillimet e përgjithshme në rajon e më gjerë, si dhe pasojat e agresionit rus në Ukrainë. Një pjesë e takimit iu kushtua dialogut me Serbinë. Presidentja Osmani theksoi se Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të dialogut. Duke cituar qëndrimin e Presidentit Biden, Presidentja Osmani ka potencuar se dialogu me Serbinë duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë” thuhet në njoftim

Foto nga takimi

Sipas Osmanit, Serbia po përpiqet ta bllokojë përparimin në dialog nëpërmjet obstruksionit, ndaj në këtë kontekst ka përmendur se pala serbe ka ngecur në zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, ka bllokuar marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë dhe po përpiqet të shkaktojë destabilizim përmes strukturave ilegale në veri të vendit.

Në fund të dy bashkëbisedueset janë pajtuar se është koha që t’i jepet fund Misionit të UNMIK-ut në Kosovë./Shqip.com