Lajme

Osmani takon ndaras ambasadorin britanik dhe atë austriak – flasin për dialogun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të martën ka pritur në takime të ndara ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott dhe atë të Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Në takim me ambasadorin Abbott, presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për të intensifikuar raportet e Kosovës me Britaninë e Madhe gjatë vitit vijues në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.

Po ashtu ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë institucioneve të Kosovës gjatë vitit 2021.

“Ajo ka mirëpritur emërimin e të dërguarit të posaçëm të Britanisë së Madhe për rajonin si shprehje e mbështetjes për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit përballë kërcënimeve dhe rreziqeve me te cilat ballafaqohet rajoni”.

“Presidentja Osmani këmbeu vështrime me ambasadorin Abbott lidhur me ecurinë e dialogut dhe rolin pozitiv që mund të luaj Britania e Madhe në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Siç bëhet e ditur, Abbott i ka prezantuar Osmanit nismën globale të Britanisë së Madhe kundër dhunës seksuale si mjet lufte.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur mbështetjen e Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e kësaj nisme duke u bërë pjesë e Deklaratës së përbashkët kundër dhunës seksuale në konflikt dhe konferencës së shteteve mbështetëse që parashihet të mbahet gjatë vitit 2022”.

Ndërsa takimin e ambasadorin Weidinger, presidentja Osmani e ka realizuar me qëllim të diskutimit të të arriturave dhe sfidave përgjatë vitit 2021, si dhe për të diskutuar mbi mundësitë për thellim të bashkëpunimit në vitin e ri.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin austriak, Christoph Weidinger

“Presidentja Osmani vlerësoi lartë prezencën aktive dhe angazhimin e vazhdueshëm të Austrisë në Kosovë dhe mbështetjen për integrim në Bashkimin Evropian”, njofton Presidenca.

“Ajo ritheksoj përkushtimin e Kosovës për intensifikim të vazhdueshëm të shkëmbimeve dhe vizitave bilaterale, si vazhdimësi e takimeve të realizuara në qershor të këtij viti me presidentin austriak Alexander Van der Bellen dhe me krerët e institucioneve tjera austriake.

 Në takim bëhet e ditur se palët diskutuan po ashtu edhe për zhvillimet e fundit në vend, situatën me pandeminë, si dhe zhvillimet në kuadër të procesit të dialogut./SHQIP.com