Osmani takohet me ambasadoren e Greqisë, biseduan për zgjerimin e raporteve në të gjitha fushat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë, ambasadoren Heleni Vakali.
Presidenca e Kosovës, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Osmani i ka uruar mirëseardhje ambasadores Vakali dhe i përcolli gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve nëpërmjet shtimit të bashkëpunimit ekonomik, në sektorin e energjisë, turizmit dhe investimeve.
“Në këtë frymë, Presidentja Osmani vlerësoi ngritjen e raporteve në mes të Kosovës dhe Greqisë, duke theksuar se institucionet tona janë të përkushtuara t’i zgjerojnë dhe intensifikojnë raportet në të gjitha fushat, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin në procesin e integrimit në strukturat euro-atlantike si prioritet kyç i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në takim u diskutua edhe për situatën politike dhe të sigurisë në kontinentin evropian.
“Me ç’rast Presidentja ripotencoi përkushtimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet, duke u thirrur në nevojën që demokracitë të qëndrojnë të bashkuara kundër tendencave destabilizuese edhe në rajonin tonë”, thuhet tutje në njoftimin e Presidencës.
Në njoftim u bë e ditur se Presidentja Osmani dhe Ambasadorja Vakali u dakorduan për shtimin e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërinstitucional në fushat e interesit të dyanshëm./Shqip.com