Lajme

Osmani pritet në takim nga presidenti i Austrisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim pune në pallatin Hofburg nga presidenti i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen.

Osmani e ka përgëzuar presidentin Van der Bellen për rizgjedhjen e tij në krye të shtetit të Austrisë, duke thënë se mezi pret hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në mes të dy shteteve gjatë mandatit të tij të dytë.

“Austria është partnere strategjike dhe aleate e popullit të Kosovës, duke e vlerësuar lartë përkrahjen e saj për rrugën euroatlantike të Kosovës, përfundimin e procesit të liberalizimit dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës e në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka theksuar Osmani

Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe situatën aktuale të sigurisë në Evropë.

Presidentja Osmani ka shtuar se është me rëndësi që vendet demokratike të vazhdojnë t’i bashkërendojnë veprimet konkrete në mbrojtje të paqes dhe sigurisë dhe vlerave demokratike, duke theksuar nevojën që të mos tolerohen satelitët e Rusisë dhe tendencat e tyre destabilizuese në rajonin tonë.

Kosova dhe Austria janë të bashkuara në qëndrimin ndaj luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, dhe Kosova është 100% e bashkërenduar me BE-në në vendimet që lidhen me politikën e jashtme.

/Shqip.com