Lajme

Osmani në takim me ambasadorin gjerman: Kosova nuk ka nxitur tensione në veri, policia po e ruan rendin

Osmani në takim me ambasadorin gjerman në Kosovë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se Kosova në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione në veri të vendit, njofton Shqip.com.

Në takim me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, Osmani theksoi tutje se prezenca e forcave policore në veru është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim.

Forcat speciale të Policisë së Kosovës duke monitoruar situatën në veri të vendit

“Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione dhe se prezenca e forcave policore në veri është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim.

Sipas Presidentes Osmani Serbia nëpërmjet diskursit dhe veprimeve nxitëse, është duke tentuar ta destabilizojë veriun e vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Lexo edhe:
Von der Leyen: Situata në Veri të Kosovës është shqetësuese, dy shtetet të kthehen në dialog

Që nga e hëna e tretë e shtatorit, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendos masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Kjo masë nënkupton që çdo veturë që hynë nga Serbia, duhet t’i zëvendësojë tabelat e veturës me ato të Kosovës, të cilat janë të përkohshme.

Të pakënaqur për këtë, serbët që jetojnë afër pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, i kanë bllokuar rrugët që nga vendosja e reciprocitetit.

Lexo edhe:
Rusia thirrje NATO-s dhe BE-së që Kosova t’i largojë Njësitet Speciale nga veriu

Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këto pika kufitare. Ata janë provokuar disa herë nga protestuesit serbë, të cilët lëshonin këngë nacionaliste.

Po ashtu, gjatë ditëve të fundit janë parë edhe helikopterë ushtarak serbë që patrullonin mbi këto pika kufitare./Shqip.com