Lajme

Osmani: Në ​Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, nderojmë gazetarët që i dhanë zë vuajteve tona gjatë luftës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë që duhet të nderohen gazëtarët që kanë raportuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një postimi në Twitter, Osmani tha se Indeksi i lirisë së shtypit është një “shembull i përkushtimit tonë ndaj demokracisë”.

“Në ​Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, nderojmë gazetarët që i dhanë zë vuajteve tona gjatë luftës dhe ata që vazhdojnë të ngrihen për të vërtetën dhe lirinë sot. Indeksi i lirisë së shtypit është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit tonë ndaj demokracisë”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe më 3 Maj, shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë është shënuar që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Sipas Indeksit të Lirisë së Shtypit Botëror, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, Kosova ka shënuar përparim sa i përket lirisë së mediave.

Në këtë indeks, Kosova sivjet radhitet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021.

“Përkundër përparimit, Kosova vazhdon të mbetet në mesin e vendeve me “situatë problematike”, siç e vlerësojnë Reporterët pa Kufij.

Në këtë kategori radhiten edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina./Shqip.com