Osmani nderon viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar të hënën, më 11 shtator, sulmet terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ndodhën në vitin 2001.
Në një deklaratë të saj, presidentja Osmani shprehu respektin dhe nderimin ndaj 3 mijë viktimave të këtyre sulmeve terroriste dhe shprehu solidaritetin e Kosovës me aleatët amerikanë.
“11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdo ditëshme në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm”, ka shkruar Osmani.
Sulmi i 11 shtatorit 2001 është një nga ngjarjet më të rënda dhe të njohura në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
/Shqip.com