Lajme

Osmani kujton masakrën e Polacit dhe të Abrisë së Poshtme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën e Polacit dhe të Abrisë së Poshtme.

Në kumtesën e presidencës, “Polaci dhe Kosova sot kujtojnë prillin e vitit 1999, kur regjimi gjenocidal i Serbisë në një ofansivë njëjavore, vrau 78 martirë të këtij fshati dhe atyre përreth. Sot i kujtojmë dhe përulemi me respekt edhe për 8 dëshmorët e UÇK-së, të cilët ranë në altarin e lirisë”.

“Makineria e regjimit gjenocidal të Serbisë afro dy muaj para kapitullimit të saj, intensifikoi përpjekjet për shfarosjen e popullit shqiptar dhe spastrimin etnik anembanë Kosovës. Më 7 prill makineria vrastare njësoj veproi edhe në Abri të Poshtme, ku u vranë 10 civilë nga Qabiqi”.

“Duke përkujtuar martirët dhe dëshmorët e UÇK-së, ne nderojmë të kaluarën tonë, mbajmë gjallë të vërtetën dhe se ndalim përkushtimin për sjelljen e autorëve para drejtësisë. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri”, thuhet në njoftimin e presidencës.

/Shqip.com