Osmani: Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vala kriminale ndaj grave duhet të marrë fund.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka reaguar lidhur me vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë në mbrëmjen e sotme nga një burrë.
“Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë. Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal”, shkroi Osmani.
Presidentja Osmani tha se sonte vajton një Kosovë për gruan që nuk arriti të bëhet nënë.
“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë. Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës”.
Tutje, Osmani kërkoi drejtësi për viktimat e këtyre krimeve që po ndodhin në Kosovë.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda oborrit të QKUK-së.
Lidhur më këtë ngjarje për Shqip.com nga Policia e Kosovës kanë dhënë detaje lidhur me rastin.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka thënë Flora Ahmeti për Shqip.com.
Lexo edhe:
Vritet një person në oborrin e QKUK-së
Po ashtu Ahmeti ka bërë të ditur se aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes.
/Shqip.com