Lajme

Osmani: Kam takuar kryeministrin, kemi folur gjatë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka realizuar një takim me kryeministrin Albin Kurti pas përfundimit të takimit të këtij të fundit me pesë emisarët e caktuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga Skenderaj, ku ishte për t’i parë për së afërmi dëmet nga vërshimet, e para e vendit ka hezituar të jap detaje rreth bisedave e as për ndonjë qëndrim nga ato tema që janë diskutuar në Prishtinë.

“Unë jam takuar sot gjatë me kryeministrin. Kemi diskutuar për këto punë, por ju lus për mirëkuptim, këto tema më në detaje i flasim një herë tjetër”, ka thënë shkurt presidentja.

Në lidhje me vërshimet, e para e vendit ka deklaruar se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet që nga mbrëmë dhe se prioritet ka qenë shpëtimi i jetëve.

“Këto janë vërshime që nuk janë parë ndonjëherë, dëmi është i madh por besoj që do ia dalim bashkë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka deklaruar se është në komunikim me FSK-në, e cila ka njësitet më profesionale për kërkim shpëtim dhe kurdo që ka nevojë ata do të intervenojnë apo edhe do të mobilizohen më shumë nëse është nevoja.

/Shqip.com