Lajme

Osmani i shpreh ngushëllime Erdoganit për viktimat e zjarrit në Turqi

Vjosa Osmani dhe Recep Tayyip Erdogan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar telegram solidarizues homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, pasi shteti që ai udhëheqë po përballet me zjarrin shkatërrues, njofton Shqip.com.

Osmani ka thënë se Kosova qëndron përkrah popullit turk, teksa ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura.

“Republika e Kosovës është në solidaritet të plotë me popullin e Turqisë, pasi vendi po përballet me disa nga zjarret më shkatërruese”.

“Presidenti Recep Tayyip Erdogan ju lutem pranoni ngushëllimet e mia për jetët e humbura. Urojmë shërim të shpejtë për të plagosurit dhe lutemi për të gjithë të prekurit”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Twitter.

Turqia është shteti i radhës i cili po përballet me krizën e ndryshimeve klimatike.

Shumë vende në Turqinë jugore janë përfshirë nga zjarri, shkaku i temperaturave të larta gjatë këtyre ditëve.

Sipas mediave turke, të paktën tre persona kanë humbur jetën deri më tash dhe dhjetëra tjerë kanë përfunduar në spital, si pasojë e zjarrit të madh që erërat e kanë shtyrë drejt qytetit dhe destinacionit të njohur turistik – Mangvata të Antalisë, në jug të Turqisë./SHQIP.com