Lajme

Osmani i kërkon Indisë ta njohë Kosovën

Vjosa Osmani - Presidente e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Indisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke pohuar se “Kosova nuk është Kashmir”.

Në një intervistë për WION, Osmani tha: “Ne i bëjmë thirrje edhe një herë qeverisë indiane që para së gjithash të njohë vuajtjet e popullit të Kosovës nga regjimi i genocidit [Sllobodan] Millosheviq, dhe së dyti, të njohë realitetin në terren që nuk do të ndryshojë”, transmeton Shqip.com.

WION shkruan se, në vitin 2011 Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përpoqën të bënin presion ndaj Indisë për ta njohur Kosovën. New Delhi ende nuk e njeh Kosovën, pasi ishte e shqetësuar se do të bëhej një paralele midis Kosovës dhe Kashmirit. Shumë nga shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Është thjeshtë çështje kohe kur vende si India do t’i bashkohen vendeve të tjera demokratike në të gjithë botën në njohjen e Republikës sovrane të pavarur të Kosovës,” tha Osmani në një paraqitje në shfaqjen e WION’s Global Leadership Series.

Ajo tërhoqi vëmendjen për atë që kishte thënë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë: se pavarësia e Kosovës është brenda ligjit ndërkombëtar dhe nuk krahasohet me asnjë vend tjetër në botë. Ajo tha se si Kosova u bë e pavarur e bën atë të ndryshëm nga rajonet e tjera, përfshirë Kashmirin.

Duke vënë në dukje se shpërbërja e Jugosllavisë kishte krijuar disa vende përfshirë Kosovën, ajo tha “ky është një realitet që nuk mund të përmbyset”, shkruan më tej ky medium.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të kemi lidhje të shëndetshme dhe aktive me qeverinë indiane, popullin indian,” tha ajo, duke theksuar mundësitë për bashkëpunim në sferat ekonomike, politike dhe diplomatike.

“Shpresoj se do të kemi një shans të paktën të takohemi, në mënyrë që zyrtarët indianë të dëgjojnë anën tonë të historisë. Është një histori vuajtjesh, këmbënguljeje, por edhe shprese të jashtëzakonshme për të ardhmen.”

Ajo pohoi se Kosova kurrë nuk ka qenë arsyeja e luftërave apo paqëndrueshmërisë, “Krejt e kundërta. Ne kemi bërë presion për stabilitet”./SHQIP.com