Lajme

Osmani dënon sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, tha se Irani duhet të marrë përgjegjësi

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se dënon sulmin kibernetik ndaj institucioneve të Shqipërisë.

Përmes një postimi në Twitter, Osmani ka thënë se ajo qëndron me homologun e saj shqiptar, Bajram Begajn si dhe i bën thirrje Iranit që të mbajë përgjegjësi për këtë sulm.

“Ne dënojmë me forcë sulmin keqdashës të internetit kundër infrastrukturës kritike të Shqipërisë. Ne qëndrojmë me presidentin Begaj dhe Qeverisë shqiptare dhe  i bëjnë thirrje Iranit të mbahet përgjegjës për këtë veprim të pashembullt”, shkroi Osmani.

Siç ka raportuar Tch, Shqipëria nuk ka asnjë ambasadë të sajën në Iran por që Irani ka një në Shqipëri.

Në janar të vitit 2020 lideri  suprem i Iranit e quajti Shqipërinë, një vend të vogël europian, shumë i mbrapshtë që ka bërë komplot me SHBA dhe tradhtarët e MEK kundër Iranit.

Ardhja e muxhahedinëve në Shqipëri daton në vitin 2012, kur qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Sali Berisha pranoi kërkesën e qeverisë amerikane për të pritur rreth 210 muxhahedinë të MEK.

Pastaj Qeveria në krye me Ramën, pranoi strehimin e qindra muxhahedinëve të tjerë të cilët janë të strehuar në  Manzë të Durrësit, në kampin e quajtur ‘Ashraf 3’.

Që prej asaj kohë zyrtarë të lartë amerikanë kanë vizituar kampin, dhe shumë konferenca janë mbajtur, por njëkohësisht të gjitha këto janë parë deri në detaje nga qeveria iranine, që kishte fshehur nën petkun e diplomatëve spiunë të saj, aktiviteti i të cilëve kishte si qëllim sulme ndaj Shqipërisë,.

Në mars të vitit 2018 u parandalua një sulm në ditën e Sulltan Nevruzit. Disa persona me shtetësi iraniane të maskuar nën petkun e gazetarëve kishin organizuar një sulm terrorit por qe u parandalua.

Ditën e ngjarjes antiterrori shqiptar ndaloi 2 iranianë të cilët u prezantuan si gazetarë por më pas u liruan dhe larguan nga territori shqiptar. Për këtë ngjarje në Shqipëri u dëbuan edhe 2 diplomatë iranianë.

Jo shumë kohë më pas Shqipëria shpalli non grata edhe ambasadorin iranian, me akuzën se cenoi sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Irani, në kundër përgjigje, akuzoi Shqipërinë për fabrikim nën presionin amerikan dhe izraelit.

Ndërkohë sulmi kibernetik që ju bë sistemit online të shtetit shqiptar në 14 korrik ishte sulmi i parafundit i Iranit. Për disa ditë sistemet e shërbimeve online ishin jashtë funksionit, ndërsa qeveria iraniane nuk e mori kurrë përgjegjësinë.

Por në vigjilje të një konference të parashikuar në Manzë të Durrësit në 23-24 korrik, Ambasada Amerikane në Tiranë dha alarmin se Irani po planifikonte një sulm terrorist.

Konferenca u shty dhe qeveria shqiptare dhe partnerë e aleatë ndërkombëtarë pasi përfunduan hetimet njoftuan se pas sulmit kibernetik, nuk ishte një apo disa individë, por vetë qeveria iraniane.

Kryeministri Edi Rama, njoftoi se nga sot Shqipëria ndërpret çdo marrëdhënie diplomatike me Iranin dhe se i gjithë personeli dhe stafi diplomatik iranian duhet të largohet nga vendi ynë brenda 24 orëve./Shqip.com