Lajme

Osmani: Dëmi që u bëhet fëmijëve duke mos shkuar në banka shkollore është i pariparueshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përsëri u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të kthehen në shkolla.

Ajo këtë deklaratë e dha gjatë kohës sa ishte në vizitë në Mamushë, ku shtoi se dëmi që po i bëhet fëmijëve duke mos shkuar në shkollë është i riparueshëm.

“Dëmi që i bëhet fëmijëve duke mos shkuar në banka shkollore është i pariparueshëm, dëmi që po bëhet për fëmijët, nuk ka kthim prapa. Ligji i Pagave do të vijë, por koha që po e humbin fëmijët tanë nuk do të mund ta kthejmë, nga këtu iu bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve në Mamushë dhe çdo kund në Kosovë t’i bashkojnë forcat që të kthehen në shkolla, që ia ofrojnë të gjithë përkrahjen e mundshme dhe diturinë nxënësve, fëmijëve tanë, fëmijëve të gjithë Republikës së Kosovës dhe tani të ecim përpara në realizimin e kërkesave nacionale brenda mundësive që Republika e Kosovës që ka”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se shkollat duhet të hapën dhe nxënësve nuk duhet mohuar e drejta kushtetuese në arsim.

“Shkollat duhet të hapen, nxënësve tanë nuk duhet t’u mohohet e drejta kushtetuese në arsim dhe kjo pastaj vjen në një situatë krejt të re për të diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen komplet sektori i arsimit”, tha Osmani.

Sipas presidentes, nuk mund të kushtëzohet hapja e shkollave me realizimin e kërkesave sepse kjo sipas saj mund të shpie në një terren tepër të rrezikshëm.

Ndryshe, sot gjatë ditës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve nëpër komuna sot u prit nga kryetari i Mamushës, Abdülhad Krasniç./SHQIP.com