OSBE-ja e gatshme të involvohet në mbarëvajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i gatshëm të merr përgjegjësi nëse Qeveria e Kosovës lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
OSBE-ja në një përgjigje për Shqip.Com ka konfirmuar se nga viti 2012 ata kanë mbledhur kutitë e votimit në vendbanimet me shumicë serbe dhe pjesëmarrja e tyre në këtë proces kishte pëlqimin e Qeverisë së Kosovës.
Thotë se KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë asistuar në këto zgjedhje.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë është gati të realizojë mbledhjen e kutive të votimit nëse kërkohet. Në të kaluarën kjo është bazuar në marrëveshjen e përbashkët ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndryshe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrimin sa i përket moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Ajo ka thënë se kosovarët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë ose përmes postës.
Qeveria është zotuar se do të ndërpresë praktikën e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë pasi është anti-kushtetues. /Shqip.com