Kulturë

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të prezantohet në Turqi

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbaj koncert në Turqi.

Në kuadër të Festivalit të 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale në Izmir, orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbaj koncert në Izmir më 25 shtator.

Sipas njoftimit të Filharmonisë së Kosovës, orkestra do të interpretojë uverturën “Coriolan” nga Beethoveni dhe koncertin për piano në a-mol nga Schumanni me soliste, pianisten e mirënjohur turke Yeşim Gökalp.

Ndërkaq, pjesa e dytë e koncertit për publikun do të sjellë një panoramë të muzikës simfonike shqiptare me vepra nga Çesk Zadeja (suita simfonike “Skëndebeu”), Lorenc Antoni (“Në Prizrenin e vjetër”), Valton Beqiri (“Loja”), Hajrullah Syla (“Uverturë shqiptare”) dhe versionin orkestral të “Bareshës” nga Rexho Mulliqi me solist Shkumbin Bajraktarin në klarinetë.

Koncerti do të dirigjohet nga Gridi Kraja, ku do të interpretohet edhe premiera botërore e veprës “Sinfonietta” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.