Origjina e COVID-19: Dalin raportet jopërfundimtare të Agjencive Amerikane të Inteligjencës

Komuniteti i inteligjencës amerikane nuk ka mundur të përcaktojë origjinën e COVID-19 dhe ende nuk e di nëse ka rrjedhur nga një laborator apo është zhvilluar në natyrë, transmeton Shqip.com.
Sipas një raporti të ri i cili është lëshuar nga zyra që mbikëqyrë 18 agjencitë e spiunimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcaktoi përfundimisht se COVID-19 nuk ishte zhvilluar si armë biologjike.
Ekspertët kanë paralajmëruar se koha po mbaron për të mbledhur dëshmi për fillimet e tij, teksa Ministri i Jashtëm i Kinës e ka hedhur poshtë raportin si “anti-shkencë”.
Raporti i lëshuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare tha se komuniteti i inteligjencës mbetet i ndarë në origjinën më të mundshme të COVID, raporton BBC.
“Të gjitha agjencitë vlerësojnë se dy hipoteza janë të besueshme: ekspozimi natyror ndaj një kafshe të infektuar dhe një incident i lidhur me laboratorin”, thuhet në raport.
Sipas raportit, disa agjenci spiune menduan se COVID-19 doli nga “ekspozimi natyror ndaj një kafshe të infektuar me të ose një virusi të afërt paraardhës”, por që ata kishin vetëm një “besim të ulët”, në këtë drejtim.
Një agjenci inteligjence ka krijuar “besim të moderuar” se infeksioni i parë njerëzor dyshohet të jetë “incident i lidhur me laboratorin” në institutin e Virologjisë Wuhan, i cili ka studiuar koronaviruset te lakuriqët e natës për më shumë se një dekadë.
Pas publikimit të raportit, presidenti amerikan, Joe Biden, lëshoi një deklaratë duke e kritikuar kështu Kinën për mos bashkëpunim lidhur me hetimin.
“Informacioni kritik në lidhje me origjinën e kësaj pandemie ekziston në Republikën e Kinës, por që nga fillimi, zyrtarët qeveritarë në Kinë kanë punuar për të parandaluar që hetuesit ndërkombëtarë dhe anëtarët e komunitetit global të shëndetit publik të kenë qasje në të”.
“Bota meriton përgjigje dhe unë nuk do të pushoj derisa t’i marrim ato”, tha Biden.
Pandemia, e cila ka marrë gati 4.5 milionë jetë në të gjithë botën, filloi në qytetin kinez Wuhan në Dhjetor të vitit 2019.
Një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetit, i cili vizitoi Wuhan, ra në përfundim në fillim të këtij viti se sëmundja ka shumë të ngjarë të përhapet nga një kafshë e shitur në një treg.
Ky përfundim është hedhur poshtë nga disa shkencëtarë.
Në maj, Biden kërkoi nga agjencitë e inteligjencës amerikane që të vlerësojnë të dhënat dhe të prodhojnë një raport që “mund të na sjellë më afër një përfundimi përfundimtar” mbi origjinën e virusit./Shqip.com