Lajme

Opozitarët e quajnë “pafytyrësi” mosndërprerjen e vizitës së Kurtit në Greqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Deputetët opozitarë po e quajnë “pafytyrësi” mosndërprerjen e vizitës zyrtare të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Greqi, pavarësisht situatës endemike në Deçan, e cila tash e dy ditë ka shpallur gjendje emergjente pasi mbi një mijë e 500 banorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të dyshimeve për helmim.

Dyshimet e para kanë qenë në ujin që vjen nga ujësjellësi “Hidrodrini”, por analizat e para kanë rezultuar negative.

Megjithatë, institucionet kanë njoftuar se do të bëhen analiza më të thella e madje edhe jashtë vendit, për të kuptuar shkaktarin e kësaj ngjarje.

E mosndërprerjen e vizitës zyrtare, deputetët opozitarë po e cilësojnë si “pafytyrësi të Kurtit”.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në një prononcim për Gazetën Online Insajderi tha se shefi i qeverisë duhet të vijë e të ballafaqohet me kërkesat e banorëve të helmuar në Deçan e jo të mjaftohet me “2-3 rreshta në Facebook”.

“Mendoj që është pafytyrësi e kryeministrit, jo pse ka shkuar në Greqi, por për shkak të situatës së krijuar në Deçan. Ai nuk po e sheh të arsyeshme ta ndërprejë vizitën dhe të vijë të qytetarët e vendit të vet. Mendoj se është e pavend dhe pafytyrësi e llojit të vet”, u shpreh Lekaj.

Ndonëse banorët filluan të kërkojnë ndihmë mjekësore që nga e shtuna, nuk u vizituan nga krerët e shtetit deri të martën. Pas kritikave nga opozita, presidentja Vjosa Osmani dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të martën vizituan Deçanin, nga ku mbajtën konferencë për media. Nga atje, Osmani kërkoi që sa më parë të dihet shkaku i helmimit, ndërsa Vitia premtoi ndihmë për qytetarët e helmuar.

Por, reagimin e tyre, Lekaj e quajti të vonuar.

Sipas tij, “Qeveria nuk ka vepruar me kohë”.

Për mosardhjen e Kurtit në Kosovë njëjtë mendon edhe zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi.

Ai në një përgjigje për Insajderi-n tha se “z. Kurti që nga dita e parë ka treguar se nuk ka ndjeshmëri për qytetarët e vet”.

Gjoshi deklaroi se obligimi i parë i punës së kryeministrit është ta mbrojë interesin e qytetarëve.

Por, sipas tij, Kurti në këtë rast ka mjaftuar me një postim në Facebook.

“Veprimet e fundit, ku ai për rreth një javë qëndron në një vend turistik duke biseduar për të majtën ekstreme, në një seminar që s’ka lidhje me shtetin e Kosovës, në një rast ku rreth dy mijë persona janë helmuar, ai vazhdon pushimet pa pasur asnjë ndjeshmëri, siç s’ka pasur asnjëherë”.

Gjoshi tutje theksoi se “shteti në këtë rast nuk ka funksionuar fare”.

Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm të mërkurën mbrëma.

Ndërprerja e vizitës zyrtare për shkak të situatave emergjente nuk është praktikë e panjohur në Kosovë. Një gjë të tillë në nëntor të vitit të kaluar e ka bërë Besnik Tahiri, i cili ishte për vizitë zyrtare në Turqi, kur mbante postin e zëvendëskryeministrit. Ai kishte ndërprerë vizitën shkaku i aktakuzave të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërprerja e vizitës zyrtare ndodh edhe në vendet e tjera. Në vitin 2015, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, kishte ndërprerë vizitën në Shqipëri për shkak të disa protestave të dhunshme në Greqi./Shqip.com