Lajme

Opozita kritikon projektligjin për Inspektorët Administrativë – “është Gestapo politike”

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Nëse hyn në fuqi Ligji për Inspektorët Administrativë ata që bëjnë “punë shteti” nuk do ta kenë më komoditetin e lakmuar si më parë. Disa nga nenet e ligjit i veshin me “super të drejta” inspektorët.

Ata kanë të drejtë të të fotografojnë, po që se je pjesë e hetimit. Kanë të drejtë “të hyjnë në zyrë, objekte, dhe kanë qasje në pajisje të caktuara për qëllim të inspektimit pa paralajmërim dhe pa leje të subjektit të inspektuar dhe pa marrë parasysh oraret e punës”, saktëson neni 26, pika 2. Dhe, nëse kaloni një herë nëpër procedurën e hetimit, mos mendoni se gjithçka mbaroi. Ligji mundëson – saktësisht neni 32, pika 3, që të ri-inspektohen kurdo që vlerësohet e arsyeshme. 

Kurse, neni 46 i paragrafit 1 i Projektligjit për Inspektim Administrativ, parasheh gjoba me shifra të majme për punëtorët e administratës për të cilët, inspektorët konstatojnë se kanë bërë shkelje të ligjit.

Në rast se ky projektligj kalon në Kuvendin e Kosovës, ekspertët thonë se do ta cënojë privatësinë e punëtorëve dhe gjithashtu, për shkelësit, do pasojnë edhe gjoba me të holla.

“Pesëqind euro për zyrtarin e inspektuar”, nëse gjenden shkelje, pastaj “tre mijë euro për subjektin e inspektuar dhe 700 euro për zyrtarin kryesor administrativ të subjektit të inspektuar” thuhet në draftin e këtij projektligji të siguruar nga Shqip.com.

Neni 46 i paragrafit 1 i Projektligjit për Inspektim Administrativ

Për anëtarin e Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ky projektligj është i papranueshëm.

Besnik Tahiri -anëtar i Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media

Sipas analizës të kryer nga Tahiri, “në asnjë rast nuk përdor qasje që garantojnë mbrojte për zyrtarin publik, por vetëm mekanizma shtrëngues kontrolli, ku rrezikon që ky inspektorat të kthehet në ‘gestapo politike’ karshi administratës”.

Prandaj, Tahiri kërkon që para se të vazhdohet më tej me projektligjin, ai t’u kthehet edhe një herë ekspertëve.

“Kërkoj që para se ky projektligj të procedohet në Kuvend, të rikthehet në konsultim të gjerë e profesional, të marrë praktikat më të mira në këtë fushë. Në të kundërtën, konstatohet se ky projektligj nuk ka synim të avancojë reformën, por të vendos frikë e kontroll mbi administratën shtetërore”, tha Tahiri për Shqip.com.

Por, kryetarja e këtij komisioni, Doarsa Kica-Xhelili, tha për Shqip.com, se ky projektligj ende është në fazën e konsultimeve dhe ende nuk ka kaluar për shqyrtim në Komision.

Albert Krasniqi: Projektligji që mundëson punësimin e militantëve partiakë

Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi, thotë për Shqip.com se krijimi i një inspektorati të tillë është i panevojshëm, “sepse ushtron presion ndaj administratës publike”.

Albert Krasniqi

“Kjo mund të jetë një formë shantazhi që mund t’i largojë nga puna për t’i zëvendësuar me persona tjerë – me militant partiakë”, ka deklaruar Krasniqi për Shqip.com.

Prandaj, Krasniqi sugjeron që të tërhiqet fare nga agjenda legjislative.

“Nuk na siguron që kjo është mënyra e duhur e reformimit të administratës publike as e rritjes së performancës së tyre sepse shkakton gjendje të paranojës brenda institucionit ku pa paralajmërim mundet një inspektor të vijë dhe të kontrollojë kompjuterin e dikujt etj”.

“Është tërësisht i panevojshëm dhe duhet të tërhiqet nga agjenda legjislative”, tha Krasniqi.

Skender Musa- avokat

Në anën tjetër, avokati Skender Musa thotë se në kuadër të ligjit për shërbim civil funksionon auditori i përgjithshëm, i cili ka për detyrë të kontrollojë punën e institucioneve shtetërore.

Andaj, krijimi i një ligji tjetër rrezikon paralelizëm të institucioneve.

“Qeveria duhet të ketë kujdes që të mos sjellë ligje që bien në konflikt me njëra tjetrën”.

Musa shpjegon se në rast të shkeljes së detyrës zyrtare, rasti kalon në fazën e hetimeve të Policisë së Kosovës dhe prokurorisë.

Projektligji për Inspektim Administrativ ishte nisur nga Ministria e Punëve të Brendshme më 18 nëntor të vitit 2021.

Qeveria e Kosovës kishte propozuar që përmes Projektligjit për Inspektim Administrativ, ta bëjë të mundur themelimin e një inspektorati që të kontrollojë zyrtarët në të gjithë administratën shtetërore.

Sipas këtij Projektligji, inspektorët do të kenë të drejtë të hyjnë në secilën zyrë të zyrtarëve publik dhe të kenë qasje në pajisjet e tyre dhe dokumentet dhe krejt kjo pa kërkuar leje dhe pa ndonjë orar të caktuar./Shqip.com

Projektligji për Inspektim Administrativ
Projektligji për Inspektim Administrativ