Opozita e bojkoton edhe raportimin e ministres Haxhiu

Partitë opozitare e kanë bojkotuar edhe në Komisionin për Integrim Evropian, ku u prit raportimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Lidhur më këtë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se deri në themelimin e Komisionit Hetimor do të vazhdojë bojkoti i PDK-së.
Ajo tha se me këtë qasje arrogante të qeverisë nuk do të bëhen pjesë e miratimit të asnjë projektligji.
“Po flas në emër të PDK ne nuk do të marrim pjesë në projektligje derisa nuk formohet komisioni hetimor. Dje ka dështuar të miratohet një komision i tillë. Mendojmë që është arrogancë e pushtetit. Me këtë qasje arrogante të qeverisë nuk do të bëhemi pjesë e miratimit të asnjë projektligji për t’i hapur rrugë komisionit hetimor sepse është e drejtë kushtetuese”, tha ajo.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka bojkotuar këtë komision. Këtë e ka konfirmuar Time Kadriaj.
“Besoj që ky komision nuk plotëson kushtet dhe nuk votojmë projektligje derisa të formohet komisioni hetimor. Ta përfundojmë këtë mbledhje”, tha Kadriaj.
Ndonëse e quajti të padrejtë këtë vendim të opozitës, deputeti i VV-së, Agon Batusha, tha se për komisionin Hetimor do të flasin shefat e grupeve parlamentare./Shqip.com