Operacioni “Pika”, Policia arreston dy zyrtarë të Doganës

Dy zyrtarë doganorë të cilët ishin me detyrë në vendkalimin kufitar në Qafë Prush janë arrestuar deri tani gjatë aksionit nga Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale i cili ka filluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren.
Burime të Shqip.com brenda Doganës kanë bërë të ditur se zyrtarër doganorë S.Zh dhe E.T, dyshohen për mit marrje dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.

Operacioni i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës i cili është ende duke vazhduar.
Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me aksionin.
Sveçla ka thënë se “zyrtarët policorë të cilët kanë për qëllim të keqpërdorin pozitën zyrtare, nuk kanë vend në PK”./Shqip.com
Vërejtje: Të gjithë personat e lartpërmendur si të dyshuar, konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kosovë.