OKB-ja emëron shefen e re të UNMIK-ut në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka njoftuar për emërimin e Caroline Ziadeh nga Libani si Përfaqësuese e re Speciale dhe Shefe e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Ziadeh pason Zahir Tanin nga Afganistani, ndaj të cilit Guterres ka thënë se është mirënjohës për “përpjekjet e tij të përkushtuara për të avancuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, si dhe për udhëheqjen e tij efektive të Misionit”.
Pasi ka shërbyer që nga viti 2017 si Drejtoreshë e Departamentit të Organizatave Ndërkombëtare, Konferencave dhe Shërbimeve Kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve të Libanit, Ziadeh sjell në detyrë një përvojë gati 30 vjeçare në diplomacinë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe shërbimin diplomatik të Libanit.
Ajo gjithashtu ka njohuri të gjera për Kombet e Bashkuara, pasi ka udhëhequr delegacionet kombëtare në Kombet e Bashkuara për çështje të tilla si migrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe puna e Ministrisë në lidhje me të drejtat e njeriut dhe agjendën e grave, paqes dhe sigurisë.

Një ish-zëvendës përfaqësuese e përhershme e Libanit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork (2006-2017), Ziadeh shërbeu në ambasadat e Libanit në Mbretërinë e Bashkuar (2004-2006), në Belgjikë dhe Bashkimin Evropian (1994-1999) , si dhe në Misionin e Përhershëm të Libanit në Vjenë dhe ambasadat e vendit në Austri, Kroaci e Sllovaki (1999-2002). Ajo ka mbajtur poste shtesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve.
Ziadeh ka një diplomë bachelor dhe master në ekonomi dhe shkenca politike nga Universiteti Libanez në Bejrut dhe diploma në marrëdhënie ndërkombëtare nga Universiteti Libre de Bruxelles dhe Akademia Diplomatike e Vjenës. Ajo flet rrjedhshëm arabisht, anglisht dhe frëngjisht./SHQIP.com