Kulturë

Numri i katedrave të gjuhës shqipe në botë i madh, por mungon interesimi

Gjuha shqipe është pjesë e katedrave në shumë vende të botës, duke ngritur kështu vlerat kulturore të kombit.

Së fundmi, gjuha shqipe është shtuar si lëndë zgjedhore në Universitetin e Harvardit në kuadër të departamentit të Letërsisë Krahasuese.

Këtë e ka bërë të ditur administratori i departamentit, Faton Limani.

“Kemi arritur që të fusim lëndën e gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore për herë të parë në Universitetin e Harvardit për të gjithë studentët e të gjitha niveleve. Lënda e gjuhës shqipe do të ofrohet gjatë tërë vitit në tre nivele – njohuri fillestare, njohuri bazike dhe niveli i avancuar në Departamentin e Letërsisë Krahasuese”, ka shkruar Limani.

Rëndësi të madhe depërtimit të gjuhës shqipe në botë, i jep edhe profesori universitar në departamentin e Gjuhës Shqipe, Bardh Rugova.

Rugova potencon se mësimi i gjuhës shqipe kudo që jepet mundësia është një vlerë e madhe kulturore në disa rrafshe.

“Ka rëndësi në aspektin integrues, mundësia që të kemi shkëmbime me njerëz, pika referente me të cilat mund të shkojmë dhe të vijnë ata tek ne. Një pjesë shumë e madhe e studiuesve dhe njerëzve që e studiojnë shqipen kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj politik në vendet e tyre për shqipen dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme”, tha ai.

Origjina e gjuhës shqipe daton që nga kohët e lashta dhe disa studime e vendosin atë ndër gjuhët më të lashta në Gadishullin Ballkanik.

Po ashtu edhe katedrat e gjuhës në botë janë shumë të vjetra, ndër to më e vjetra është ajo në Napoli, e pastaj edhe departamenti në Beograd.

Sipas Rugovës, në vitet e 50-ta është hapur edhe departamenti i gjuhës në Petesburg të Rusisë.

Mirëpo, interesimi për të mësuar gjuhën shqipe nuk është i kënaqshëm, sipas Rugovës, nuk ka shumë interesim të madh prej njerëzve.

“Jo nuk ka interesim prej njerëzve, shikoni tash në këto mënyra siç po e shohin botën apo edhe në Kosovë qysh kanë nis me e pa botën universitare, është disi si ekonomi si me e dergu dikë  në një shkollë të zanatit, kjo ka bërë që departamentet e vogla të shuhen dhe kjo ka bërë të humbet interesimi edhe për shqipen”, tha ndër të tjera Rugova.

Sa e përkrahin institucionet shtetërore përhapjen e gjuhës shqipe në botë?

Sipas Rugovës, institucionet duhet të ndërhyjnë dhe t’i mbështesin edhe financiarisht universitetet edhe pse ato s’janë të Kosovës, në mënyrë që të mbahet gjuha shqipe.

Kjo sipas tij, në Kosovë nuk është se praktikohet.

“Qe po ju  jap një shembull, Universiteti i Lublanës dëshironte me marrë gjuhën shqipe por kërkonin fonde tash ajo një rrogë sa ka mundur të jetë 1500-2000 euro, institucionet tona refuzuan që të paguajnë”, shtoi ai.

Tutje, mos përkrahjen e mos angazhimin në këtë mënyrë, Rugova e ka cilësuar edhe si tradhti kombëtare.

Ndërkaq, edhe vendet si Italia, Gjermania, e Amerika, posedojnë katedra të gjuhës shqipe në universitetet e rajonit./Shqip.com